E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Jo votim familjar në 28 qershor

Ambasadori i OSBE-së, në Tiranë Robert Bosh ka bërë apel që në kutitë e votimit në 28 qershor të mos shkojnë familjet, por individët. Kreu i misionit të OSBE ka kërkuar që tradita e votimit në grup të mos njollosë standartet e procesit zgjedhor në 2009 dhe që shqiptarët të kenë në dorë kartat e identitetit. Sipas tij, autoritetet e administrimit të zgjedhjeve kanë një përgjegjësi të qartë për të parandaluar kryerjen e veprimeve të tilla, ditën e zgjedhjeve. Duhet  të tregoni se jeni të aftë të bëni zgjedhje të lira dhe të tregoni këtë herë se mund të votoni individualisht, duke eliminuar votimin familjar, pjesë të traditës shqiptare në zgjedhje. Në qoftë se politikanët shqiptarë janë seriozë në ambiciet integruese, duhet ta dënojnë këtë praktikë dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ta ndalojë më 28 qershor. Të biem dakord, që në zgjedhjet parlamentare shqiptare të vitit 2009, populli shqiptar të hedhë tej fenomenin e shëmtuar të votimit familjar në koshin e plehrave të historisë së politikës, aty ku e ka vendin dhe do të votojë sipas zgjedhjes së vet, theksoi Bosh. Ai ka bërë apel për pritjen me kënaqësi të datës 28 qershor, si dhe pritjen e një fushate zgjedhore ku sipas tij të gjitha partitë politike të jenë në gjendje të paraqesin programet dhe vlerat e tyre në mënyrë të hapur, të lire dhe transparente. Ndër të tjera ai ka përmendur arritjen e standardeve të kërkuar në këto zgjedhje, ku vlerat e popullit shqiptar përkthehen në mënyrë të saktë dhe të ndershme në vende në Parlament. Në këtë drejtim, ambasadori i OSBE-së në Tiranë u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që nuk disponojnë pasaportë, që të aplikojnë për kartat e identitetit dhe ti tërheqin ato për kohën që u shty nga Ministria e Brendshme. Për përfaqësuesin e OSBE-së në Tiranë, gratë duhet të shprehin në zgjedhje, vullnetin e tyre jashtë presionit të jashtëm, të ushtruar në kuadër të votimit familjar. Justifikimi i kësaj sjellje duke e etiketuar thjesht si një pjesë e "kulturës shqiptare", nuk vlen më për vitin 2009. Faktorët politikë shqiptarë duhet të tregojnë se janë seriozë në arritjen e ambicieve të tyre të integrimit, sidomos tani si një shtet anëtar i NATO-s, e duhet të dalin me një qëndrim publik të patundur për të dënuar një sjellje të tillë ndaj grave, në ditën e zgjedhjeve, u shpreh Bosh. Në këtë projekt të OSBE-së, ambasadës së Vendeve të Ulëta dhe asaj të Suedisë, u trajnuan fillimisht 51 gra nga shoqëria civile dhe partitë politike, 16 prej të cilave, pjesëmarrëse në listat zgjedhore, iu nënshtruan në fund një trajnimi të posaçëm në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›