Berat, rrëshqet Korita, 12 familje pa shtëpi
13/03/2005 Fshati Koritës, i komunës së Lumasit, po përjeton tragjedinë e rrëshqitjes të masivit të Pllajës të Koritës, me sipërfaqe prej mbi 80 hektarë tokë, nga të cilat 45 hektarë e zënë me tokë bujqësore, 25 hektarë e sipërfaqes e zënë me kullota e pyje mbi 10 hektarë që kanë rrëshqitur kanë qenë shkëmb. Masivi i një rrafshi të tërë me mbi 80 ha tokë ka rrëshqitur, duke përsëritur historinë, pasi 130 vjet më parë mbi këtë pllajë ka qenë i vendosur fshati me të njëjtin emër, por që është fundosur. Para një muaji, banorët kanë dëgjuar një erë të fortë dhe një zhurmë të nëndheshme. Fshati ka tri ditë që nuk furnizohet me ujë të pijshëm. Rrëshqitja e masivit të Koritës, veç dëmeve që u ka sjell banorëve të tri lagjeve, ka ndërprerë edhe rrugën që lidh fshatin me pjesën tjetër të pllajës. Deri tani janë larguar nga vendi i rrezikut 12 familje.