E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rëshqet dheu, ndërtohet pa studim gjeologjik

13/03/2005  Inxhinieri gjeolog, Fadil Sallufi, shpjegon përse reshjet pas dimrave e verërave të thata, na gjetën të papërgatitur

Rrëshqitjet e tokës do të vazhdojnë dhe 1 deri 2 muaj, është ndërtuar aty ku s’ndërtohet

“Mallkim nga Zoti”, thonë, të trembura me duar ndër faqe, plakat e Pogradecit, Godoleshit e Koritës për gjëmën që ju ka ndodhur, shtëpi e varre që lëvizin e futen ndër dhe. Por jo, ne kemi “mallkuar” veten, kemi shkatërruar natyrën. Shkenca ka krijuar gjithë mundësitë që të mbrohemi prej saj, por ne vazhdojmë të shkatërrojmë e të mos mbrohemi. Këtë vit rrëshqitjet e tokës kanë qenë të shumta, shtëpi të tëra të shembura, rrugë, deri dhe varrezë. “Jam i sigurt se kjo gjendje do të vazhdojë dhe një muaj, ose dy muaj”, thotë Fadil Sallufi, specialist pranë Institutit Gjeologjik.

Përse ndodh fenomeni

Ai shpjegon se fenomene të tilla si rrëshqitjet e tokës, shembjet, futen në ato që shkencërisht quhen fenomene gjeodinamike, pra lëvizje që zhvillohen në sipërfaqe të tokës. Një nga shkaqet është mosdisiplinim i ujërave të tokës, qofshin këto sipërfaqësore të rreshjeve, qofshin dhe të përdorimit të përditshëm. Shkak tjetër është formimi gjeologjik, mbi të cilin janë ndërtuar këto banesa. Këto janë shkaqet kryesore, por sigurisht ka të bëjë dhe me format e relievit, sepse kuptohet që rrëshqitjet ndodhin në shpate, në zona me pjerrësi të madhe. Duke qenë se nga lagështia vetitë fizike të tokës humbasin, pëson plasaritje shtresa e sipërme e saj, në një trashësi 10 deri 30 metra dhe në fund toka rrëshqet. “Rrëshqitjet janë të shumta dhe do të vazhdojnë të jenë të shumta, pasi kemi kaluar një periudhë disavjeçare me dimër dhe verë të thatë. Konkretisht, ky dimër ka qenë shumë i lagësht, gjë që që ka çuar në një mbingopje të tokës, sipërfqes dhe brendësisë së saj. Kjo lagështirë arrin në shtresa të papërshkrueshme, të cilat ne në përgjithësi i quajmë argjilite, të cilat kanë ndryshim të koeficientit të filtrimit të shtresave dhe meqenëse uji nuk vazhdon më të filtrohet në drejtim vertikal, kërkon një dalje dhe merr drejtimin e pjerësisë, që merr shtresa”, shpjegon Sallufi.

Dëmtimi i natyrës

Prerja e pyjeve dhe drurëve, është favorizuesi kryesor i rrëshqitjeve. Ndërkohë që shkaku tjetër është ndërtimi gjeolo-litologjik i zonës, që nuk varet nga njeriu, por duhet njohur prej tij për t’ju përshtatur tokës. “Për këtë arsye është miratuar një ligj, në vitin 1998, por që shpesh nuk zbatohet, i cili thotë që për çdo ndërtim, duhet të bëhet më parë studimi gjeologo-inxhinierikë. Në shumë zona, në qoftë se ne do të kishim bërë studime, do të kishim rekomanduar masat, nëse mund të merren masa, sepse jo gjithmonë janë të mundura nga ana inxhinierike”, shpjegon Sallufi. Në rast se një zonë përcaktohet e rrezikshme për të ndërtuar në të dhe nuk ka mundësi rekuperimi, atëherë në atë vend nuk mund të lejohet asnjë ndërtim.

Studimet gjeologjike të domosdoshme

Çdo ndërtim duhet bërë pasi të jetë studiuar zona nga pikëpamja gjeologjike dhe sizmike, duke nisur nga ngritja e një ndërtese mbi 15 kate, 5 kate dhe deri te një varrezë, apo një lulishte. Po ndonëse ka vite që është miratuar si ligj, më tepër zbatohet për Tiranën, zonë e cila nuk ka ndonjë rrezik gjeologjik dhe për disa qytete të mëdha, ndërsa për fshatrat as që bëhet fjalë.

“Zbatimi i këtij ligji nuk është disiplinuar në qytete jo më në fshatra. Nëse për banorët e fshatrave është e papërballueshme që të bëjnë nga një studim gjeologjik për secilën zonë e për secilën shtëpi, shteti nga ana e tij duhet të marrë masa që ashtu siç bënë harta urbanistike të bëjë dhe studime gjeologjike për secilin fshat, ku duhet të caktoj zonat, ku mund të ndërtohet dhe zonat e rrezikshme, ku nuk lejohet ndërtimi”, thotë inxhinieri. Shteti duhet të kërkoj ligjshmëri. Pra, të mos japë leje ndërtimi nëse nuk ka studim gjeologjik për zonën. Për zonat ku ka patur rrëshqitje toke këto dy muaj, të cilat mund të përkufizohen dhe si të rrezikshme, është i padobishëm investimi.

“Masa gjeologjike-inxhinierike nuk mund të merren, pasi kanë një kosto jashtëzakonisht të madhe. Unë kam parasysh rastin e Korikës së Beratit dhe nuk mund të imagjinosh se si mund të marrësh masa mbrojtëse në krahasim me aq banesa të dëmtuara dhe aq fond sa mund t’u japësh atyre”, thotë Sallufi.

Toka ende “s’po gjen” stabilitet

Inxhinieri mendon se në Korikës rrëshqitja do të zgjerohet në dimensione dhe në perimetër 10-20 metër. Ndërtimi gjeologjik i tokës të jep përshtypjen që ky zgjerim do të vazhdojë derisa të arrijë në atë që quhet stabilitet. Ca gjëra duhen thënë, se po t’i dish i jep shanse vetes që të mbrohesh, është parimi i gjeologut, por dhe i shumë njerëzve të tjerë, që merren me studime. “Në Korikës banorët kanë thënë se në atë fshat para 200 vitesh ishte përmbytur fshati. Nëse kjo do të dihej nuk do të ishte ndërtuar në atë zonë. E njëjta situatë përmbytje përsëritet dhe në fshatin Godolesh të Elbasanit”, thotë Sallufi. Ai shpjegon se Elbasani ka një ndërtim gjeologjik të tillë sa që është gjithnjë i predispozuar që të rrëshqasë. Në përgjithësi periferitë e këtij qyteti kanë një ndërtim me shumë makroporezë, gjë që lejon depërtimin e ujit në brendësi.

Rrëshqitjet e rrugëve

“Para një viti, unë bëra një projekt, që nuk u miratua. Rruga Milot-Peshkopi është pothuajëse jshtë përdorimi, rruga Elbasan-Tiranë nga Qafë–Krraba në pjesën më të madhe ka dalë jashtë përdorimi. Rruga Elbasan - Qafë-Thanë, nga gërryerjet e lumit Shkumbin po kalon në gjendje kritike, rruga Ballsh-Tepelenë po ashtu”, thotë Sallufi. Por, të gjitha këto rrugë kanë patur probleme me shkarjet e dheut. Ndërsa, për sa u përket masave, që mund të merren, gjeologu thotë se duhet të shikosh trashësinë e trupit të rrëshqitur. “Në çfarë informacionesh është ajo që ne e quajmë plan–rrëshqitje, sa është masa e dheut të lëvizur. Në disa rrugë probleme kanë dalë me muret mbajtëse”, shpjegon ai.

Shteti, të ndëryjë urgjentisht

Shteti duhet të ndërhyjë menjëherë për ndryshimin e ligjit mbi studimet gjeologjike. ”Shumë inxhinierë i bëjnë këto studime sa për të thënë, jashtë kushteve teknike, sa për të siguruar një dokument juridik, që në fund të merret leja e ndërtimit. “Shteti duhet të ndërhyjë si atëherë në vitin 1998, kur e bëri të domosdoshëm kryerjen e një studimi të tillë për të marrë leje ndërtimi”, thotë gjeologu.

MBROJTJA

Duhen mbjellë pyjet, të pastrohen kanalet kulluese

Por, shkarrjet e dheut mund të minimizohen. Duhet t’i mbjellim pemët aty ku i kemi prerë, të pastrohen kanalet kulluese dhe të mos gërryejmë më shtratet e lumenjve për të marrë lëndë ndërtimi. “Të vetmet masa që ne kemi në dorë, që mund të ndërmerren nga Pushteti Vendor, apo nga banorët e zonave të rrezikuara, është pyllëzimi intensiv i zonave dhe disiplinimi i ujërave, pasi nuk ekzistojnë kanalizimet dhe drenazhimet. Ne si institut i kemi rekomanduar disa here pushteteve vendore që të marrin masa, por deri tani nuk kam parë që të jetë bërë ndonjë gjë”, thotë inxhinieri gjeolog Fadil Sallufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›