E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pesë administratorë të VEFA-s dhe dy ekspertë të pandehur

13/03/2005  Dyshohet të kenë shitur asete të firmës rentiere nën koston reale të tregut

Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzë pesë administratorë të Këshillit Mbikëqyrës për Transparencën e firmave piramidale, konkretisht VEFA-s. Prej disa ditësh, ata janë marrë të pandehur nga Prokuroria, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ata akuzohen nga Prokuroria se kanë kryer shitje të aseteve të firmës piramidale VEFA, nën koston e tyre reale. Gjithashtu janë marrë nën hetim edhe dy ekspertët kontabël, të cilët kanë përcaktuar vlerën e disa objekteve, që mësohet të jenë lokale dhe vila luksoze. Por, Prokuroria nuk ka konkluduar ende në një shumë konkrete të dëmit që është shkaktuar si pasojë e shitjes së këtyre aseteve të VEFA-s nën koston e tyre reale.

Hetimi

Për rreth tre muaj, organi i akuzës së kryeqytetit ka hetuar lidhur me kallëzimin e bërë aty nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ndaj pesë administratorëve të VEFA-s. KLSH-ja theksonte në kallëzimin penal kundër pesë administratorëve se, ata kishin shpërdoruar detyrën e tyre shtetërore lidhur me shitjen e disa aseteve të VEFA-s, duke shkaktuar për pasojë një dëm të konsiderueshëm ndaj kreditorëve. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan dje se është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës ndaj administratorëve Merita Ahmeti, Vjollca Gjylameti, Arben Abazi dhe Nasip Ahmeti. Burimet pohojnë se nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se administratorët e akuzuar kanë firmosur shitjen e disa objekteve të firmës piramidale VEFA, nën koston e tyre reale të tregut për periudhën kur janë kryer këto shitje. Si pasojë e shitjes së tyre nën vlerën reale, është konstatuar një dëm i konsiderueshëm ndaj kreditorëve të kësaj firme, të cilëve tashmë u është premtuar dhënia e 11% të shumave të depozituara prej tyre para vitit ’97, shtojnë burimet. Por, Prokuroria e Tiranës nuk ka konkluduar ende në një shifër konkrete rreth dëmit të shkaktuar kreditorëve, e për pasojë shtetit. Kjo, pasi janë duke u verifikuar edhe disa prej shitjeve të këtyre aseteve, që dyshohet të jenë dhënë nën koston e vlerës reale të tregut.

Denoncimi

Tre muaj më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në disa shkelje gjatë shitjes së aseteve të VEFA-s. KLSH-ja denoncoi në organin e akuzës shkeljet e procedurave të shitjes së disa objekteve të VEFA-s. Sipas denoncimit të KLSH-së të depozituar në Prokurori, pesë administratorët e mësipërm të fajdeve kishin kryer shitje të këtyre objekteve nën vlerë. Pas këtij denoncimi, hetuesit kanë kryer verifikimet përkatëse, nga ku është konkluduar se në të vërtetë disa prej objekteve të VEFA-s ishin shitur nën vlerë. Mësohet se Prokuroria po punon për verifikimin e të gjitha procedurave të këtyre shitjeve, me qëllim arritjen në një konkluzion përfundimtar lidhur me shifrën e dëmit që u është shkaktuar kreditorëve e për pasojë shtetit.

Nën hetim edhe dy ekspertë

Pas ngritjes së akuzës për shpërdorim detyre ndaj pesë administratorëve të VEFA-s, Prokuroria ka filluar hetimin edhe kundër dy ekspertëve kontabël, të cilët kanë kryer vlerësimin e kostos së objekteve të shitura. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime pranë Prokurorisë, të cilat thanë se dyshohet që pesë të akuzuarit të kenë bashkëpunuar edhe me dy ekspertë kontabël, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga Prokuroria, për shkak se ndaj tyre ende nuk është ngritur ndonjë akuzë zyrtare. Burimet e akuzës sqarojnë se po verifikohet pozicioni dhe roli i dy ekspertëve në këto shitje, për të konkluduar nëse kanë ndikuar në vlerën e objekteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›