E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, rrëshqitja e dheut rrezikon 4 banesa, familjarët kërkojnë ndihmë

Familjarë të 4 shtëpive në lagjen Kodra e Sulmit, në qytetin e Beratit janë në rrezik të banesave të tyre si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Të ngritura prej shumë vitesh në kodër, këto banesa kanë 4 vjet që rrezikohen nga shembja, por ndërtimet që bëjnë banorët me mure dhe mjete të tjera mbajtëse të dheut, bëjnë që këto banesa deri më sot të ekzistojnë. Ndërsa këtë vit, gjendja sa vjen dhe bëhet më emergjente. Për këtë banorët kanë kërkuar ndihmën e shtetit. Kanë qenë specialist të gjeologjisë, të cilët kanë ardhur në vendin ku janë ndërtuar shtëpitë dhe kanë bërë verifikime të gjendjes, duke i nxjerrë banesat në gjendje emergjente dhe të pabanueshme. Por janë vështirësitë ekonomike të këtyre 4 familjeve, ato që bëjnë që ende të banojnë me frikë në banesat e tyre me mure të cacra dhe tavanet që iu ka rënë suvaja. Gjendja duket alarmante që në pjesët e jashtme të banesave, ku shkallët e shtëpive janë deformuar dhe dheu ka krijuar një spostim të theksuar që sa vjen dhe ulet. Meleq Paja, njëri prej banorëve të lagjes Kodra e Sulmit, thotë për gjendjen e shtëpisë së tij që sa vjen dhe rrezikohet. Kam punuar në emigrim për disa vjet që të ndërtoja këtë shtëpi, por shkarja e dheut bën që banesa sa vjen dhe ulet më poshtë, thotë Paja. 55- vjeçari shton se ka marrë me kredi këtë vit 2 milion lekë në bankë për ndërtimin e një muri mbrojtës poshtë shtëpisë, që dheu mos të krijojë rrëshqitje por sërish nuk ka mundur që muri të mbrojë shtëpinë. Gjithashtu shqetësim kanë shprehur dhe banorë të familjeve të Selman Kalaj, Bari Lamaj, Adile Xhaxhaj, të cilët nuk kanë kushte ekonomike që të largohen nga banesat e tyre të çara dhe që një ditë janë të sigurta që do të bien.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›