E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, grabitnin kasetofonat e makinave, ndalohen 2 adoleshentë

Policia e Gjirokastrës, ka prangosur dy adoleshentë, të cilët ishin shndërruar në një makth të vërtetë për të gjithë shoferët. Grabitja e kasetofonave dhe pajisjeve të tjera elektronike në autovetura, kanë qenë në targetin e 17- vjeçarit K. Batha dhe e A. Novit, 19 vjeç, gjatë ditëve të fundit. Brenda një dite dy adoleshentët kanë grabitur tre kasetofona makine, disa bokse dhe pajisje të tjera elektronike të përdorshme. Policia e Gjirokastrës dhe sidomos specialistët dhe agjentët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, organizuan punën duke ngritur shërbime sekrete për kapjen e tyre. Si rezultat i punës së bërë dhe shërbimeve të ngritura për këtë qëllim, u arrit që në orët e para të ditës së sotme të arrestoheshin në flagrancë adoleshentët me banim në Gjirokastër. Ata janë kapur në flagrancë në lagjen 11 Janari në momentin e grabitjes me thyerje të një automjeti tip Benz Mercedez në pronësi të shtetasit F. D., banor i lagjes. Pasi kanë shkulur nga automjeti kasetofonin dhe katër bokset, hajdutët janë kapur nga policia. Veprimtaria grabitëse e adoleshentëve ishte e përqëndruar në lagjet e sipërme të qytetit në skutat e kuartiereve ku parkoheshin automjetet gjatë orëve të natës. Policia e Gjirokastrës nga ana e vet ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura nga Novi dhe Batha, ndërkohë që materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›