E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta prezanton kandidatët për deputetë, në Bulqizë Ilir Balla dhe në Mat Agim Hysa dhe Lutfije Meta

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me minatorët e Bulqizës. Së bashku me drejtues të tjerë të LSI, Meta ishte brenda në galeritë e Minierës së Bulqizës, rreth 800 metra nën tokë dhe bisedoi me minatorët lidhur me problemet me të cilat përballen ata dhe kryesisht për kushtet e punës. Në fjalën e tij, gjatë takimit me minatorët, kreu i LSI tha se kriza ekonomike ka trokitur tashmë në Shqipëri dhe të parët që po e ndiejnë atë janë minatorët, të cilët punojnë për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjet e tyre, në kushte tepër të vështira. Ndërkohë, kreu i LSI-së akuzoi Qeverinë se nuk ka bërë asgjë për Statusin e Minatorit dhe ka lënë minatorët të punojnë në kushte tepër të rënda pune. Kreu i LSI premtoi angazhimin e LSI që minatorët jo vetëm të mos humbasin vendet e punës, por që të investohet sa më shumë në sektorin minerar, në mënyrë që të krijohen qindra vende të reja pune. Gjithashtu, Meta u premtoi minatorëve se LSI do të angazhohet që, pas 28 Qershorit, të diskutojë se bashku me minatorët Statusin e Minatorit dhe ta votojë në Parlament. Gjatë ditës së djeshme, kreu i LSI zhvilloi takime me qindra banorë të Bulqizës dhe Klosit, ku janë prezantuar dhe kandidatët për deputet të LSI në këto zona, Ilir Balla, Agim Hysa dhe Lutfije Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›