Lushnjë, tragjedia në familjen Krasniqi, policia në kërkim të autorëve
Një ditë pas ngjarjes makabre në rrethin e Lushnjës, policia po vijon me kërkimet për kapjen e autorëve të saj. Në familjen Krasniqi ka pllakosur zia dhe e vetmja gjë që po përjetohet është dhimbja. Të afërm të familjes Krasniqi i janë drejtuar shtëpisë së djegur për të qarë trupin e pajetë, e ndërsa dhimbja kishte pushtuar gjithçka. Fëmijët dhe bashkëshortja e Bujarit, të mbledhur së bashku, kanë vajtuar mbi trupin e 45- vjeçarit, i cili vetëm dy ditë më parë humbi jetën tragjikisht, në rrethana që ende kanë mbetur misterioze. Sipas policisë, e vetmja gjë që është e besueshme duke parë rrethanat është ajo e vrasjes me silenciator.
Diçka e dyshimtë duket se po serviret në bazë të kqyrjes me imtësi të vendit të ngjarjes dhe pas ekzaminimeve të bëra mbi trupin e viktimës. Sipas burimeve jozyrtare, autorët, pasi ekziston mundësia që të kenë qenë më shumë se një, kanë pasur një përleshje me viktimën dhe në grindje e sipër e kanë qëlluar këtë të fundit me dy plumbta, një në pjesën e sipërme të shpatullës, e tjetri në afërsi të zemrës. Goditja ka qenë fatale për 45- vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen. Por, autorët e krimit nuk janë mjaftuar me kaq. Pasi kanë goditur Krasniqin, ata kanë përdorur benzinën për ti vendosur zjarrin shtëpisë, brenda së cilës flinin edhe tre fëmijët e viktimës. Ka qenë pikërisht vajza më e madhe e familjes, I. K., ajo që ka vënë re lëvizjet e dyshimta jashtë shtëpisë. E mitura, pasi i është drejtuar shtëpisë së xhaxhait, ka treguar gjithçka edhe në policinë e komisariatit të Lushnjës. Deponimi i vajzës është analizuar imtësisht nga ekspertët e kriminalistikës, e ndërsa po punohet për gjetjen e autorëve. Edhe pse ende në gjendje shoku e mitura, ka treguar se kishte parë lëvizje jashtë shtëpisë, por nuk ka dëgjuar të shtëna arme. E ndërsa është zhvilluar edhe ceremonia funerale e Krasniqit, pistat e hetimit vazhdojnë të jenë të shumta. Burime jozyrtare tregojnë se personat mund ti jenë drejtuar shtëpisë së Bujar Krasniqit me qëllim grabitjen e saj, e ndërsa kanë ndeshur me rezistencën e kryefamiljarit nuk kanë mundur dot të veprojnë ndryshme, përveçse ta ekzekutojnë atë. Po të njëjtat burime, shprehen se viktima mund ti ketë njohur autorët që kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe më pas këta të fundit, janë detyruar të vrasin Krasniqin, madje për të humbur gjurmët ata i kanë vendosur flakën shtëpisë.. Pikërisht në dhomën e gjumit të Krasniqit, aty ku dhe ka ndodhur krimi, gjithçka ka qenë e shkatërruar, madje dollapi i madh ishte i përmbysur. Ka qenë pikërisht kjo zhurma, që sipas familjarëve, ka zgjuar vajzën e që e ka detyruar atë të ik e tmerruar nga banesa.