E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liron dy nga të arrestuarit për tragjedinë e Gjirokastrës

Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës vendosi dje masën e arrestit burg pa afat për dy të arrestuarit, të cilët dyshohen si shkaktarë të shembjes së pallatit në lagjen "11 Janari" ditën e diel, ndërkohë dy të arrestuarit e tjerë do të gjykohen në gjendje të lirë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, pasi shqyrtoi për katër orë rresht dosjet penale të paraqitura nga organi i akuzës. Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, Thanas Llahana, inxhinier gjeolog që akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë, do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg deri ditën e gjykimit. Ndërsa, Jani Ndriço, ekskavatorist që punonte për llogari të firmës "Arti Ndërtim" sh.p.k. dhe Njazi Çobani, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit "Arti Ndërtim" sh.p.k., të cilët akuzohen për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë, do të hetohen në gjendje të lirë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës pohuan se bashkëpronari i shoqërisë së ndërtimit "Arti" sh.p.k., Aristotel Haxhi, i cili u vetëdorëzua në polici dje në mëngjes, do të dalë para drejtësisë pas tri ditësh. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Deri tani, për këtë ngjarje janë arrestuar dhjetë persona, tre prej të cilëve zyrtarë nga Bashkia e Gjirokastrës dhe punonjës të firmës që po ndërtonte kompleksin e ri të banimit. Të shtatë të arrestuarit, pasi kanë mësuar masën e arrestit, janë përcjellë në Burgun e Bënçës, ku do të qëndrojnë deri në gjykim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›