E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, banorët e një pallati ankohen: Po na hanë themelet

Ndërtimet e paligjshme prishin themelet e një pallati në kryeqytet. Nuk është hera e parë që dëgjojmë një ankesë të tillë. Në kryeqytetin tonë është kthyer në fenomen ndërhyrja në bodrumet e pallateve, shndërrimi i bodrumeve në dyqane apo lokale. Ata që e pësojnë janë gjithmonë banorët e pallateve, që jetojnë me frikë në zemër, duke pritur një shembje të banesave të tyre. Në Rrugën e Barrikadave në Tiranë po ndërhyhet në muret mbajtëse të një bodrumi. Bëhet fjalë për disa bodrume në pallatin 218 në kryeqytet. Bodrumi po kthehet në pub, ndërkohë që janë prishur muret mbajtëse, duke rrezikuar kështu jetën e banorëve që jetojnë në këtë pallat. Banorët kanë shkuar në çdo institucion për të parandaluar katastrofën që mund të ndodhë. "Po na bie suvaja, do të fundosemi ndonjë ditë", ankohen banorët e pallatit 218 në kryeqytet. Së bashku me banorët, gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në zyrën urbanistike të njësisë bashkiake Nr. 9 të Tiranës. Punonjësi i kësaj zyre, Robert Kureta, premton se do të verifikojë të gjitha kushtet dhe ata si zyrë do t‘u drejtohen institucioneve që duhet të ndërhyjnë, siç është Inspektorati i Ndërtimit dhe Bashkia e Tiranës. Ndërsa shefi i urbanistikës në njësinë bashkiake Nr. 9 në Tiranë, Bujar Sërdelli, edhe pse njihet me problemin e këtyre banorëve, në vend që të marrë masa për jetën e tyre, nxjerr jashtë dhe fyen gazetarët. Kryeqyteti ynë është i tejmbushur me mbishtesa që janë ndërtuar mbi pallatet ekzistuese dhe me lokale apo dyqane që kanë prishur muret mbajtëse. Si mbishtesat, ashtu edhe zgjerimi i kateve të para e bodrumeve janë ndërtuar në rastet më të shumta te pallatet e ndërtuara para viteve 1990, pa asnjë projekt tekniko-ligjor. Këto ndërtime mund të shkaktojnë edhe shembjen e pallatit, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore. Ato i gjen pothuajse në çdo pallat të Tiranës, si në brendësi të lagjeve ashtu edhe në qendër dhe janë të ndërtuar pa asnjë lloj plani e studimi. Për këto ndërtime nuk është bërë asnjë studim nga specialistët e shtetit. Këto ndërhyrje janë bërë nga banorët të cilët kanë banesat në katet e sipërme, ose të para të pallateve. Edhe pse nuk kanë asnjë leje për ndërtimin e këtyre shtesave, bashkia dhe njësitë bashkiake kanë heshtur, duke mos ndërhyrë për t‘i prishur ato. Shtesat mbi pallate janë ndërtuar pa studiuar planin e themeleve të pallatit. Ndërsa themelet, sidomos te Pallatet e Shallvareve, janë prekur nga zgjerimi i bodrumeve dhe kthimi i tyre në lokale apo dyqane. Në rast të ndonjë tërmeti, këto pallate janë të parat që rrezikojnë shembjen dhe mund të shkaktojnë një tragjedi me kosto tepër të lartë. Si gjithmonë, në vendin tonë pritet që të ndodhin tragjeditë që të merren masat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›