Bime rimerr veten, urdhëron kontrollin e gjithë ndërtesave
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, ka mbledhur dje stafin e tij, për herë të parë pas ngjarjes tragjike të shembjes së pallatit ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Ai ka urdhëruar personelin e bashkisë për të qenë 24 orë në dispozicion të përballimit të situatës, ndërkohë që ka komunikuar ngritjen e një grupi pune për verifikimin e të gjitha ndërtimeve të kryera pas viteve ‘90. Puna kryesore e këtij grupi ekspertësh do të jetë verifikimi në vend i gjendjes së objekteve të ndërtuar në zona dhe terrene me rrezik shembjeje. "Në ato objekte që paraqesin rrezik shembjeje, do të ndërhyhet për të eliminuar çdo rrethanë rreziku që do të mund të shkaktojë ngjarje si ajo e të dielës", është shprehur Bime. Ndërkaq, ekspertët e këtij grupi do të bëjnë edhe verifikimin e të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna deri më sot, procedurat që janë ndjekur dhe nëse do të ketë devijime nga piketat e ndërtimit, do të raportohen për t‘u analizuar më pas në KRRT. Ai kërkoi përkushtim dhe përgjegjshmëri pasi çdo rast i rrezikshëm që do të paraqitet, do vlerësohet maksimalisht për të evituar pasojat e padëshirueshme. Grupi i specialistëve do të nisë verifikimet në kodrën ku u rrëzua pallati në lagjen "11 Janari", pasi sipas Bimes, në të ka mjaft objekte banimi të ndërtuara. Inspektimi nga afër synon ndërhyrjen me kolona mbrojtëse për të evituar çdo lloj mundësie për rrëshqitje të tjera. Krahas verifikimit të terrenit në këtë pjesë të qytetit, nga kryetari i bashkisë është kërkuar të studiohet edhe situata gjeologjike në kodrat e tjera të qytetit ku janë kryer ndërtime. Rrezikshmëria që paraqesin ndërtimet në kodrat me përbërje trualli shtuf, ka bërë që grupi i specialistëve të bashkisë të fillojë seriozisht dhe në mënyrë të detajuar studimin, verifikimin e ndërtimeve në bazë dhe kalimin e tyre në këshillat teknike dhe KRRT-të e kaluara e të tashmen. Për t‘iu gjendur pranë familjeve të dëmtuara, Bashkia e Gjirokastrës ka vënë në dispozicion një skuadër të posaçme punonjësish për t‘iu përgjigjur kërkesave më emergjente të tyre si vend për strehim, ushqim, apo dhe veshmbathje. Ndërkohë që shumë shpejt, pritet të ndërmerret një aksion për evadimin e të gjithë asaj çka ka ngelur nga pallati i rrëzuar të dielën. Ndërkohë, për sa i takon vlerësimit të dëmit të shkaktuar familjeve që humbën apartamentet dhe orenditë, Bime tha se vlera e përgjithshme arrin rreth 80 milionë lekë, duke llogaritur këtu banesën dhe orenditë shtëpiake. Nga përllogaritjet që specialistët kanë vlerësuar, dëmi që solli shkatërrimi i pallatit të shembur kap vlerën e 63 milionë lekëve të rinj, ndërkohë që kësaj shume po t‘i shtohen edhe 1.3 milionë lekë për banesat 2+1 dhe 1.5 milionë për banesat 3+1 deklaron më tej kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, shkon afërsisht me shumën e lartpërmendur. Kryebashkiaku ka pranuar se si pasojë e ngjarjes është krijuar një anomali në një prej sektorëve të Bashkisë së Gjirokastrës, siç është zyra e urbanistikës, por ai ka siguruar se do të vihet shumë shpejt në eficensë.