E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, shemben dy shtëpi, tre të tjera në rrezik

Shirat e dendura të ditëve të fundit kanë krijuar situatë të pazakontë në disa banesa në Berat

BERAT- Shirat e ditëve të fundit për pak sa nuk kanë shkaktuar një tragjedi në Berat ku dy banesa janë fundosur për shkak të rreshkitjes së tokës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Muzakaj". Shembja e dy banesave ka ndodhur në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme dhe është shkaktuar nga rrëshqitja e tokës, për të cilën askush nuk ka bërë një studim gjeodezik para se të ndërtonte shtëpinë.

Veç dy banesave që thuajse janë bërë të pabanueshme, ka shenja të zhvendosjes të një sipërfaqeje toke në kodrën ku janë ndërtuar disa banesa, dhe për pasojë janë në rrezik shembjeje edhe tri banesa të tjera që ndodhen në afërsi të tyre.

Sipas ekspertëve, këto banesa janë të pabanueshme, pasi kanë pësuar çarje të lehta të mureve duke u bërë rrezik i vazhdueshëm për familjarët, të cilët duhet thënë se jetojnë në ankth dhe frikë, për shkak të avancimit të lëvizjes së tokës, në gjithë shpatin ku janë ndërtuar shtëpitë e konkretisht në kodrën e ndodhur në pjesën perëndimore të lagjes "Kala".

Vetë banorët e shtëpive të shembura thonë se në momentin e rrëshqitjes kanë përjetuar çaste frike dhe tmerri. "Dëgjuam një goditje shumë të fortë dhe më pas një lëkundje si të ishte tërmet. Bashkë me lëvizjen nga vendi pamë se si po çaheshin muret e shtëpisë, e pas kësaj situate të frikshme dolëm të hutuar jashtë, ndërkohë që toka vazhdonte të lëvizte nga vendi duke u spostuar nga lindja drejt perëndimit",- thotë një nga banorët.
Më pas të alarmuar, kanë dalë edhe banorët e tjerë përreth, të cilët e kanë kaluar natën jashtë banesave të tyre.

Pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar specialistë të emergjencave civile dhe urbanistikës, të cilët pasi kanë parë situatën në vend u kanë rekomanduar familjarëve të largohen nga banesat e tyre, pasi sipas tyre për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe çarjes së mureve, banesat rrezikojnë të shemben totalisht, nga çasti në çast. Familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar më shumë, të ndodhura në qiell të hapur janë strehuar përkohësisht tek të afërmit e tyre.

Për rikuperimin e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyrore familjarët kanë kërkuar ndihmën e pushtetit vendor dhe atij qendror. Për momentin, Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, ka konfirmuar për "Shekulli" se të gjitha konstatimet e bëra nga grupi i punës të specialistëve të emergjencave civile dhe urbanistikës i janë përcjellë menjëherë Drejtorisë së Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme, prej nga pritet çelja e fondit përkatës që do të vihet menjëherë në dispozicion të familjeve të dëmtuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›