E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, shkarkohet forcërisht kreu i këshillit bashkiak

Konflikti mes anëtarëve të majtë dhe koalicionit të ri PD-LSI. Ndërhyn prefekti dhe favorizon këshilltarët e djathtë

PATOS- Këshilli Bashkiak i Patosit ka më shumë se dy muaj që nuk është mbledhur për shkak të "mungesës" së kryetarit. Maksim Goga është kundërshtuar nga ana e këshilltarëve të djathë, të cilëve u është bashkuar edhe grupi këshilltarë të LSI.

Në këto kushte ku mbledhjet nuk janë zhvilluar, këshilltarët e djathtë kanë zhvilluar një mbledhje në Fier dhe kanë shkarkuar kryetarin aktual duke vendosur si drejtues të ardhshëm të këtij këshilli Leonard Muhaj. Ish-kryetari këshillit Bashkiak, Maksim Goga, është shprehur se nuk e njihte këtë këshill pasi është i paligjshëm. Në këto kushte Këshilli Bashkiak i Patosit gjendet me dy kryetarë.

Për të zgjidhur situatën, këshilltarët e djathtë i kanë kërkuar prefektit të Fierit të bënte interpretimin ligjor lidhur me legjitimitetin e këtij këshilli të sapoformuar.

Prefekti Bujar Hasaj, i ka dërguar një letër Këshillit Bashkiak Patos si dhe kryetarit të bashkisë Patos, Bardhi Meli, ku shprehej se vendimet e Këshillit Bashkisë të marra në mbledhjen e që u zhvillua në ambientet e hotel Fierit pa pjesëmarrjen e të majtës, janë në përputhje me ligjin si në aspektin procedural edhe në përmbajtje. Vendimet janë të pavulosura por sipas prefektit nuk cenon vlefshmërinë e vendimit.

Për sa i përket vulës, prefekti ka kërkuar që të nxirret një e re dhe një kopje të depozitohet në prefekturë.

Maksim Goga është shprehur se ky këshill është antiligjor dhe për këtë do t'i drejtohet gjykatës. Ndërsa lidhur me shkresën zyrtare firmosur nga prefekti ai është shprehur "ajo nuk më ka rënë në dorë dhe askush nuk më ka dorëzuar një kopje të saj".

Ndërsa kryetari i porsazgjedhur, Leonard Muhaj, është shprehur se "tashmë unë jam kryetar, pasi kjo është dokumentuar nga institucioni i prefekturës, i cili ka deklaruar se ky këshill është në përputhje të plotë me ligjin. Kjo më jepet pasi unë jam zgjedhur nga 19 anëtarë të këtij këshilli, 18 prej tyre ranë dakord për shkarkimin e ish-kryetarit Maksim Goga".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›