Digjet vetura e policit bashkiak pran Ministrisë së Brendshme
TIRANE- Një zjarr i papritur në automjetin e një polici bashkiak ra mesditën e djeshme pranë Ministrisë së Brendshme, duke shkaktuar djegien e pjesshme të saj.
Ngjarja ndodhi dje në mesditë rreth orës 11:30, mjeti i punonjësit të Policisë Bashkiake, Gëzim Kulufi, mori flakë duke shkaktuar djegien e pjesshme të tij dhe të një mjeti tjetër që ndodhej aty pranë.
Nga hetimet paraprake të kryera nga policia është mësuar se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike e automjetit në bateri. Duke qenë se ajo ishte me benzinë, ka marrë flakë menjëherë duke shkaktuar edhe djegien e saj në pjesën më të madhe.
Madje jo vetëm kaq, por veç mjetit të punonjësit të Policisë Bashkiake që është djegur, kanë mbetur të djegur edhe një mjet tjetër që ndodhej fare pranë mjetit të punonjësit të policisë bashkiake.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur një patrullë policie si dhe një automjet i zjarrfikëseve që menjëherë kanë nisur shuarjen e zjarrit. Pas shuarjes së flakëve të rëna në automjet, policia dhe ekspertët kanë nisur menjëherë hetimin për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Nga këqyrja e kryer prej ekspertëve kriminalistë të policisë së kryeqytetit dhe të shërbimit të zjarrfikëseve, këta të fundit kanë pohuar se zjarri ka qenë aksidental nga shkaqe elektrike dhe më pas është stimuluar edhe nga fakti se mjeti punonte me benzinë. Në fund mjeti është larguar nga vendi ku kishte rënë zjarri për në një servis automjetesh.