E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi i Fatmira Hajdarit, rrëzohet kërkesa e Aldo Bares

Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi kërkesën e kapobandës së Lushnjes, ndërsa nuk u pranua dorëheqja e gjyqtares

Kërkesa e tij për shuarjen e masës së sigurisë për shkak të kalimit të afateve të gjykimit u hodh poshtë po dje

TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda, rrëzon kërkesën e Aldo Bares (Alfred Shkurtit), për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga procesi i gjykimit ndaj tij dhe për lirimin e tij, pas kalimit të afateve të gjykimit të çështjes. Po kështu nuk u pranua edhe dorëheqja e gjyqtares Hajdari, e cila kishte kërkuar të largohej nga procesi i gjykimit ndaj Bares.

Në këtë mënyrë, Aldo Bare do të vijojë të gjykohet nga e veja e ish- deputetit demokrat Azem Hajdari, pavarësisht se në kërkesën e tij të depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda Aldo Bare, pretendonte se drejtimit i trupës gjykuese nga Fatmira Hadjari përbënte konflikt interesi.

Gjykata e Krimeve të Rënda, rrëzoi dje kërkesat e Aldo Bares (Alfred Shkurtit), për përjashtimin e Hajdarit dhe po kështu nuk pranoi kërkesën për dorëheqje të kësaj të fundit nga procesi. "Çështja ndaj meje ka marrë ngarkesa të ndryshme si mediatike ashtu edhe politike.

Me qëllim që si për mua ashtu edhe në përgjithësi për opinionin, të mos paragjykohet vendimi që kjo e nderuar gjykatë do të marrë, duke përjashtuar me këtë rast çdo shkak, a arsye personale, kërkoj që ky trup gjykues të mos kryesohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari",-tha avokati Meçe duke cituar klientin e tij Aldo Bare, në seancën e 9 dhjetorit të këtij viti.

Pas kërkesës, gjyqtarja Hajdari u shpreh dakord parimisht duke i paraprirë kërkesës që u shqyrtua dje. "Jam dakord. Unë do të paraqes dorëheqjen para kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Seanca deklarohet e mbyllur dhe pezullohet shqyrtimi i kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë deri në shqyrtimin dhe gjykimin e kërkesës për përjashtimin tim nga trupi gjykues",-tha Hajdari në të njëjtën seancë në të cilën u bë kërkesa për largimin e saj.

Ndërkaq, kërkesa për lirimin e tij për shkak të mbarimit të afateve të gjykimit ndaj tij, u refuzua nga Gjykata që vendosi hedhjen poshtë të kësaj kërkese të avokatit të Bares, Vladimir Meçi.

Avokati kishte depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë, pasi që nga arrestimi në Turqi, Aldo Bare ka qenë i izoluar në burg.

Ky izolim ka sjellë kalimin e afatit procedural të masës së sigurisë "arrest me burg", duke kaluar afatin njëvjeçar të përcaktuar me ligj. Sipas kërkesës së avokatit, ndaj të pandehurit duhej të shuhet masa e sigurisë pasi ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë në burg për më shumë se tri vite pa një vendim gjykate, duke sjellë kështu shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

Kërkesa e tij u hodh poshtë nga gjykata, duke bërë që edhe në vazhdim ai do të qëndrojë në burg dhe do të gjykohet në masën e sigurisë arrest me burg. ndërkaq seanca për shqyrtimin e kërkesave paraprake të palës mbrojtëse është shtyrë për një datë tjetër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›