Grabitësi i arratiset policisë pas arrestimit
Rreth 15 milionë lekë të vjetra i janë grabitur me dhunë dje pasdite një shtetaseje në fshatin Vukatanë të Shkodrës. Grabitësi, i cili quhet Syri Mehmetaj, në momentin e shoqërimit nga policia ka mundur të arratiset dhe vetëm pas tri orëve është vetëdorëzuar në polici së bashku me shumën e parave të grabitura.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në dalje të fshatit Vukatanë, ku shtetësja me iniciale Xh.M., që mbante një çantë me një shumë prej 15 milionë lekësh të vjetra ,është sulmuar me forcë nga bashkëfshatari 38 vjeç, i cili ia ka marrë çantën dhe ka ikur me vrap. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, që kanë bërë të mundur kapjen e grabitësit bashkë me shumën e parave. Por në momentin që kanë qenë duke e futur Syri Mehmetajn në automjetin e policisë, ai u ka shpëtuar nga duart policëve dhe është zhdukur në errësirën e mbrëmjes.
Me gjithë përpjekjen e shumtë, policia nuk ka mundur ta prangosë sërish grabitësin. Vetëm pas tri orëve, Mehmetaj është dorëzuar në polici nga familjarët e tij, së bashku me shumën e parave që kishte grabitur. Sipas policisë, shtetasi Syri Mehmetaj e kishte mbajtur në vëzhgim bashkëfshataren dhe ishte në dijeni se ajo do shkonte të shkëmbente një sasi eurosh në tregun e valutës.
Ndaj të arrestuarit janë ngritur akuzat për grabitje me dhunë dhe kundërshtim të forcave të rendit.