E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, shkatërrohen kalldrëmet e lagjes muzeale, reagojnë banorët

 

BERAT - Shkatërrohen kalldrëmet e lagjes muzeale "Goricë". Kalldrëmet e rrugicave të lagjes kanë pësuar dëmtime serioze, si rezultat i punimeve që po kryhen në këtë lagje nga një firmë e tenderuar nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve. Ndonëse qëllimi i saj është restaurimi dhe zëvendësimi me kalldrëme të rinj të pjesëve të dëmtuara të lagjes, banorët janë ankuar për punën. Në të gjitha rrugicat ku po punohet nuk është bërë asnjë gërmim e si rezultat toka ku po shtrohet kalldrëmi ka pësuar ulje e gropa në të gjithë sipërfaqen e saj. Nga ana tjetër materiali që po përdoret për shtrimin e rrugicave të kësaj lagjeje është jashtë parametrave të lejuar për kalldrëmet në lagjet muzeale. Në këtë rast po përdoren inerte e rëra e lumit, ndërsa kalldrëmet duhet të shtrohen me gur të gdhendur ose gur të lakuar. Banorët e kësaj lagjeje pohojnë se janë shkatërruar thuajse të gjitha rrugicat e kalldrëmta tradicionale të lagjes "Goricë". Sipas tyre, si materiale nuk po përdoren ato me të cilat janë ndërtuar shekuj më parë, por edhe gurët që vendosen mbi rërë nuk po fiksohen, çka bën që ato të shkulen me lehtësi. Një prej banorëve të kësaj lagjeje, i cili dikur ka qenë një nga pionierët të cilët kanë punuar në shtrimin vullnetar të kalldrëmeve të lagjes "Goricë", pohon se jo vetëm që janë shkatërruar kalldrëmet, por është prishur tërësisht imazhi muzeal i kësaj lagjeje, tashmë pjesë e UNESCO-s dhe mjaft e vizitueshme nga turistët e huaj. Ai thotë se punimet janë bërë nga punëtorë të thjeshtë ndërtimi e jo nga specialistë. Në zyrën rajonale të Drejtorisë së Monumenteve thonë se gjithçka është kryer nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.                                      d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›