Mjekët konsulta për operacionin e Dritan Dajtit
Mjekët e Dritan Dajtit kanë nisur konsultat për një ndërhyrje kirurgjikale pranë kolonës vertebralë dhe këmbës së majtë. Duket se operacioni i shumëpërfolur për heqjen e plumbave që Dajti vazhdon t'i ketë ende në trup, së shpejti do të realizohet. Burime nga Spitali i Burgjeve thanë se grupi i mjekëve është mbledhur për të parë më nga afër gjendjen shëndetësore të së shumë-kërkuarit të drejtësisë shqiptare dhe për të vendosur se kur do të kryhet ndërhyrja kirurgjikale për t'i hequr dy plumbat që ai vazhdon t'i ketë në trup dhe që i kanë shkaktuar paralizë të pjesshme në njërën këmbë. Të njëjtat burime sqaruan se grupi i mjekëve që përbëhet nga kirurgë e reanimatorë dhe ata do të mblidhen sërish për të vendosur datën e saktë se kur do të kryhet operacioni. Analizimi i gjendjes së tij shëndetësore, nga mjekë profesionistë, ka nxjerrë në pah deri diku edhe se si do të jetë rezultati i ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas mjekëve mësohet se edhe pse do t'i hiqen dy plumbat që ka në trup, Dritan Dajti rrezikon që të mbetet i paralizuar në këmbën e tij të majtë, pasi ajo e ka humbur totalisht ndjeshmërinë, si rezultat i kohës së gjatë që plumbi ka qëndruar në kolonën vertebrale, por edhe dëmtimi që ka marrë në kolonë. Lajmin se autori i masakrës së 7 gushtit në Durrës, rrezikonte të mbetej i paralizuar, e bënë publik disa ditë më parë burime nga Spitali i Burgjeve. Mjekët thanë se plumbat që ai ka në trup, duket se do t'i kushtojnë paralizën Dajtit. Për shkak të prekjes së shtyllës kurrizore nga një prej plumbave, ai rrezikon të mbetet i paralizuar përjetë në njërën këmbë. Burimet konfirmuan disa ditë më parë se Dritan Dajti ka humbur totalisht ndjeshmërinë në këmbën e tij të majtë, ndërsa ndjeshmëria është e kufizuar edhe në këmbën tjetër. Gjendja e përgjithshme e Dajtit mësohet të jetë e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezikshmëri për jetën e tij. Ai u plagos pak pas mesditës së 7 gushtit, në aksionin policor për arrestimin e tij. Pas 6 vjetësh arrati, ai shkëmbeu zjarr me katër efektivët e policisë që kishin mbërritur për ta arrestuar, ndërsa mori 3 plagë nga zjarri i armëve të tyre. Ndërkohë vetë ai akuzohet se është autor i vrasjes së oficerëve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feska dhe Altin Dizdari. e.d