E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, shtyhet miratimi i buxhetit, këshilltarët bashkiakë të painformuar

>Ka dështuar dje mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Beratit, për miratimin e buxhetit për vitin 2009. Drejtuesit e këshillit bashkiak ishin kujdesur dje që mbledhja të zhvillohej e hapur për të gjithë qytetarët dhe është menduar të zhvillohet jo në sallën e mbledhjeve të këtij këshilli, por në ambientet e galerisë së arteve "Eduart Lear" për të pasur me tepër hapësirë për pjesëmarrjen e qytetarëve. Por mbledhja që parashikonte miratimin e buxhetit ka nisur në orën 10:00 dhe ka zgjatur vetëm disa minuta. Kryetari i këshillit bashkiak, Arenc Berati hapi mbledhjen e ditës së djeshme duke prezantuar si rend dite miratimin e buxhetit. Por këshilltarët e majtë dhe të djathë kanë kundërshtuar që në fillim miratimin e këtij buxheti. Këshilltarët kanë ngritur zërin duke kundërshtuar miratimin me pretendimin se nuk kishin kohën e mjaftueshme për tu njohur me materialet shpërndarëse. Këshilltarët janë shprehur se në materialet e shpërndara nga komisionet e ekonomisë nuk janë përcaktuar qartë dhe hollësisht shpërndarjet në zëra të buxhetit. Në këto kushte, këshilltarët kërkuan shtyrjen e miratimit. Kryetari i këshillit, Berati, pasi dëgjoi fjalën e shumë këshilltarëve vendosi që buxheti të hidhet për miratim në mbledhjen e radhës së këtij këshilli, më 23 janar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›