Berat, tatimorët aksion kundër rritjes së çmimeve
Kontrolli nisi këtë jave dhe deri tani janë gjobitur tetë subjekte. Drejtori: Kontrollet do të vazhdojnë deri pas festave
BERAT- Afrimi i festave të fundvitit përballet çdo vit me rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve më të konsumuara, por ndryshe nga vitet e tjera, tatimorët e Beratit kanë vendosur t'iu vijnë sivjet në ndihmë familjeve beratase duke kontrolluar tabelat e çmimeve në tregjet e dyqanet e shitjes së tyre,me pakicë e shumicë në qytet. Fillimi i kësaj jave ka shënuar edhe fillimin e aksioneve "blic" të policisë tatimore, në të gjitha bizneset në qytet për të parandaluar rritjen në stratosferë të çmimeve në dyqanet ushqimore,fruta-perimet etj. Drejtori i Tatim-Taksve të Beratit, Arben Velçani, gjatë një interviste të dhënë për gazetën, ka pohuar se kontrollet e ushtruara nga policia tatimore janë përqendruar pikërisht në këtë periudhë festash, që njihet nga të gjithë, si periudha e rritjeve abuzive të çmimeve. Velçani theksoi se është ngritur një grup pune, i përbërë nga inspektorë të institucionit të tatim-taksave dhe nga punonjës të policisë tatimore, të cilët kanë ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha pikat e shumicës e pakicës, në tregtimin e një game më të gjerë produktesh, të cilët tregtohen e konsumohen më shumë në prag festash. Velçani ka theksuar se kontrollet kanë konsistuar në verifikimin e dëshmive e deklarimeve që kanë bërë pranë këtij organi të gjithë tregtarët, duke deklaruar listat e çmimeve të produkteve që ata tregtojnë dhe duke parë abuzimet me çmimet nga ana e këtyre tregtarëve, policia tatimore ka vendosur edhe penalizime për shkeljet e vërejtura në to. Gjatë këtij aksioni, që ka filluar ditën e hënë, deri tani janë kontrolluar mbi 20 pika të biznesit të madh dhe mbi 30 pika të biznesit të vogël. Si rezultat i mungesës së afishimit të çmimeve në bazë edhe të deklarimeve të bëra, gjë që tregon qartë rritjen e çmimit të këtyre produkteve, policia tatimore ka gjobitur dy biznese të mëdha me nga 500 mijë lekë (të reja) dhe gjashtë biznese të vegjël me nga 100 mijë lekë (të reja). Velçani ka theksuar se këto kontrolle do të vazhdojnë deri në përfundim të festave të fundvitit, në mënyrë që të frenohet abuzivizmi që ndodh me rritjen e padrejtë të këtyre çmimeve.