E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrohej në mangall, vdes 15-vjeçari nga Korça

Kasëm Kamberi humbi jetën, teksa punonte roje në një magazinë për të zëvendësuar të atin e sëmurë
Familja: Djalin e kanë vrarë, kishte shenja në kurriz. Autopsia: Vdekje nga asfiksia pas çlirimit të dioksidit të karbonit
Korçë-  Vdekja e një adoleshenti në Korçë, ndërsa ishte duke zëvendësuar të atin në punën e tij si roje magazine është shoqëruar me akuza nga ana e prindërve. Sipas tyre, djalin e kanë vrarë, ndërkohë që ekspertiza e mjekëve, fill pas ekzaminimit të trupit të 15-vjeçarit flet qartë për një asfiksi nga çlirimi i dioksidit të karbonit, nga mangalli mbi të cilin ishte ngrohur gjatë natës djali. Dje prindërit e Kasëm Kamberit nuk janë larguar nga spitali, duke kërkuar drejtësi dhe gjetjen e përgjegjësve. Mjekët, tashmë e kanë thënë prerë fjalën e tyre, mbi bazën e autopsisë dhe raportit-mjeko-ligjor. Pas kësaj, policia ka bërë me dije se vdekja ka qenë aksidentale, pasojë e asfiksisë.
Ngjarja
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 04.00 të mëngjesit të së hënës. Kasëmi, 15-vjeçar,një natë më parë bashkë me vëllanë e tij më të madh kanë shkuar të zëvendësojnë si roje, babanë e tyre Guri Kamberi i cili ishte shtruar në spitalin e Korçës. Viktima, banor i fshatit Bregas, rreth 20 kilometra larg qytetit, ka shkuar të ruante një magazinë, në të cilën babai i tij punonte prej kohësh. Tragjedia e familjes Guri, i cila për më tepër jeton në një gjendje të vajtueshme ekonomike ka ardhur në mënyrë të beftë dhe krejt të paperceptueshme për prindërit. "Djali shkoi të zëvendësonte të atin, që ai të mos humbiste vendin e punës dhe pagesën",- tregojnë mes dhimbjes familjarët, që nuk pranojnë kategorikisht që e gjitha kjo të jetë vdekje aksidentale nga asfiksia. Djali, sipas familjes, por edhe versionit tashmë zyrtar të policisë, ka qenë bashkë me vëllanë e tij më të madh. Të dy, për të përballuar të ftohtin e natës, ndërkohë që është dashur të rrinë zgjuar për të ruajtur, kanë gjetur si mundësi ngrohje një mangall me prush, pranë të cilit kanë qëndruar gjatë gjithë natës.
Humbja e ndjenjave
Në orët e para të mëngjesit, të së hënës, djali ka pësuar një gjendje të fikëti. Menjëherë pas kësaj, pa mundur të kërkojë ndihmë është rrëzuar dhe ka rënë mbi mangall. Nga kjo i është shkaktuar një plagë në trup, ndërkohë që ka vdekur në vend. Më pas ka qenë vëllai, por dhe pronari i magazinës, që e kanë transportuar me një karrocë në shtëpinë e tij në fshatin Bregas. Familjarët, duke parë gjendjen kritike të djalit e kanë transportuar me urgjencë në spitalin e Korçës. Aty djali është pritur në urgjencë, por sipas burimeve spitalore shpresat për përmirësim kanë qenë zero. Kjo, pasi djali ishte pa puls dhe thuajse i vdekur.
Prindërit: Djalin e kanë vrarë
Ndërsa policia e Korçës ka dhënë versionin e saj pas autopsisë së mjekëve, nuk janë bindur nga kjo prindërit e viktimës, Guri dhe Donika Kamberi. Familjarët e adoleshentit që sipas ekspertizës mjeko-ligjore ka vdekur rreth orës 04.00 të mëngjesit të të hënës, kanë kërkuar drejtësi, ndërsa pretendonin se djalin e tyre e kishin vrarë. Në një prononcim për gazetën, Guri Kamberi përmes lotëve bashkë me gruan e tij Donika ka pohuar se i biri kur e kishin sjellë në shtëpi me një karrocë ka pasur shenja në pjesëne kurrizit. "Djalin ma kanë vrarë dhe dua ta di se kush",-ka pohuar Guri Kamberi, 50-vjeçar. Sipas tij, djali kishte një të çarë të madhe në pjesën e veshkave dhe të kurrizit, por dhe duart gjithashtu i ka pasur të përgjakura. "Di që e kam dërguar të punonte si roje bashkë me djalin tjetër, ndërsa nuk di se çfarë ka ndodhur në magazinën që ruante, vetëm se ma kanë sjellë të vdekur. Ne nuk kemi pasur probleme me askënd, se jemi njerëz të ndershëm që shohim punën tonë",- thotë ai. Ndërkaq, vetë nëna e 15-vjeçarit, Donika, 48-vjeçare, përmes vajit, ka treguar se e ka rritur me shumë mundime, deri edhe me tesha të marra borxh. Edhe ajo është e bindur se djali nuk ka vdekur vetë. Por, nuk dinë të thonë asgjë tjetër rreth bindjes së tyre, ndërkohë që gjatë natës, djali ka qenë shoqëruar nga i vëllai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›