E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, tjetër masiv shkëmbi rrezikon Mangalemin

 

BERAT - Një tjetër masiv shkëmbi rrezikon qytetin e Beratit. Dy ditë më parë, inspektorë të bashkisë kanë shkuar në zonën ku rrezikohen të shemben shkëmbinj dhe kanë dhënë alarmin. Sipas tyre, 10 metra më larg vendit ku ra shkëmbi pak kohë më parë, një tjetër masiv me përmasa akoma e më të mëdha është gati për t'u shkëputur. Bashkia përballë kësaj situate ka dhënë alarmin pasi masivi që rrezikon të shkëputet e ka drejtimin në mes të lagjes muzeale të Mangalemit. Tre muaj më parë, kjo lagje u rrezikua pasi një shkëmb u shkëput. Por për fat të mirë, u dëmtua veç çatia e një banesë si dhe një mjet i parkuar. Nën kryetari i bashkisë Stavri Ceca, u shpreh dje se është ngritur një grup pune për të ndjekur situatën në lidhje me rrezikshmërinë që paraqet masivi shkëmbor në zonën e Kalasë. "Kemi dërguar dy shkresa në Ministrin e Brendshme, kanë ardhur edhe specialistët gjeologë për studimin e zonës, por deri më tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje konkrete", u shpreh ai. Banorët thonë se ndihen të rrezikuar dhe se flenë me frikë në shtëpitë e tyre. Ata i bëjnë apel shtetit të ndërhyjë, pasi jeta e tyre është në rrezik. "Në rast se shkëmbi bie, e gjithë lagjja jonë rrafshohet", u shpreh njëri prej banorëve.                                                d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›