Depresioni, vetëvaret me tel në hardhi babai i 5 fëmijëve
TIRANE - Një 52-vjeçar, i dyshuar si i sëmurë mendorë, është gjetur i varur në hardhinë e rrushit në oborrin e shtëpisë nga gruaja e tij. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Bari Bala është gjetur i varur në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Marikaj, në afërsi të Vorës. Me të marrë njoftimin efektivat e policisë së Vorës kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur pa jetë 52-vjeçarin Bala, baba i 5 fëmijëve. Oficerët e policisë kanë marrë në pyetje për disa orë bashkëshorten e viktimës, e cila ka konfirmuar që prej kohësh ai vuante nga depresion i rëndë mendorë, madje ishte kuruar disa herë për këtë sëmundje, edhe pse asnjëherë më parë nuk kishte tentuar të vriste veten. Ajo ka treguar me detaje edhe momentin kur e ka gjetur pa jetë bashkëshortin e saj. Burime nga policia treguan se gruaja e Bari Balës ka rrëfyer se mbrëmjen e së hënës ata janë shtrirë për të fjetur pa pasur asnjë lloj debati në familje, madje ndryshe nga shumë herë të tjera që debatet nuk mungonin. Rreth orës 24:30 ajo është zgjuar nga vetëtimat dhe ka vënë re se bashkëshorti i saj nuk ndodhej në krevat. Pasi ka kontrolluar nëpër të gjitha dhomat e shtëpisë, ajo ka dalë në oborr dhe në moment përpara i është shfaqur i shoqi, i cili ishte varur në hardhinë e rrushit, tek shkallët e shtëpisë dhe pasi e ka parë që nuk kishte shenja jete ka lajmëruar policinë. e.d