Jaho Salihi, i shpëton burgut të dytë përjetë
Armand Bajrami
Jaho Mulosmani shmang dënimin me burgim të përjetshëm për akuzën e "vrasjes me paramendim" ndaj Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit në vitin 1999. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Mulosmanit për gjykim të shkurtuar. Ai ndërkohë po vuan dënimin përjetë për pjesëmarrje në vrasjen e ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Sipas avokatit të Jaho Mulosmanit, klienti i tij kërkon gjykim në gjendjen aktuale në të cilën ndodhen aktet e dosjes në ngarkim të tij. Pasi është njohur edhe me pretendimin e organit të akuzës, gjykata ka shprehur vendimin e ndërmjetëm që i dha të drejtën Mulosmanit për gjykim të shkurtuar. "Gjykata pranon gjykimin në gjendjen në të cilën ndodhen aktet", thuhej në vendimin e ndërmjetëm të treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo. Në përfundim të vendimit gjykata shtyu seancën për t'i dhënë kohë përfaqësuesit të prokurorisë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare. Ulja e një të tretës së dënimit për shkak të pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar e përjashton automatikisht mundësinë që Mulosmani të dënohet me burgim të përjetshëm.
PROCESI
Dosja që përmban në brendësi provat që, sipas Prokurorisë, faktojnë se Mulosmani është ekzekutori i Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit mbërriti në Gjykatën e Tiranës në prill të këtij viti. Ndërsa ishte dënuar më parë me "burgim të përjetshëm" për këtë ngjarje, një vendim i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin e dënimit dhe e ktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës. Sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të dosjes ishin shënuar shkelje të shumta procedurale. Ngjarja për të cilën Mulosmani po gjykohet në gjykatën e kryeqytetit është shënuar në vitin 1999, kohë kur i pandehuri mbante detyrën e shefit të Rendit në Komisariatin e Tropojës. Gjithçka ka ndodhur në qendër të qytetit të Tropojës, kur pas një breshërie automatike janë vrarë Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Sipas Prokurorisë, ngjarja kishte ardhur si pasojë e një tjetër ngjarjeje kriminale të ndodhur pak orë më parë në të njëjtën datë në fshatin Cerrnicë të Tropojës. Ngjarje, ku në një atentat me mina të telekomanduara u vranë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja, ndërsa plagosen Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka. Hetimet e atëhershme "shënjestruan" Mulosmanin si ekzekutor në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e Haklajt dhe Kërnajës.
Dënimi për "Hajdarin"
Ndërsa po gjykohet për akuzën e "vrasjes me paramendim" në gjykatën e kryeqytetit, Mulosmani po vuan burgimin e përjetshëm si pjesëmarrës në vrasjen e "shekullit", atë të ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Ndërkohë që kjo dosje është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Strasburgut.