Memorial kushtuar arkeologëve të Butrintit
SARANDE - Me nismë të këshillit të komunës dhe veçanërisht të kryetarit të komunës së Ksamilit, Vesel Koçia, tepër i pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, prej ditësh ka nisur të hedhë shtat në qendër të qytezës një memorial. Ai u kushtohet tre prej figurave të arkeologjisë që kanë studiuar me devotshmëri arkeologjinë e në veçanti Qytetin Antik të Butrintit, që është pjesë territoriale e komunës së Ksamilit. Memoriali i kushtohet kontributit shkencor të arkeologëve si Luigji Maria Ugolini, Hasan Ceka dhe Dhimosten Budina, që me punën e tyre shkencore dhe kërkimet arkeologjike na kanë sjellë prezantimin e Butrintit të sotëm me thesaret e veta arkeologjike. Memoriali është financim i vetë komunës së Ksamilit. Projekti është miratuar në këshillin e komunës. Ai është projektuar dhe tani po punohet për zbatimin e tij. Kompozimi i memorialit është interesant. Ai është i vendosur mbi një bazament rrethor me diametër 4 m. Në qendër të tij ndodhet një kolonë e rrumbullakët me diametër 80 cm, e veshur e tëra me mozaik. Mbi kolonën kryesore janë vendosur 3 kolona antike në formë trekëndore, me përbërje inoks, që simbolizojnë antikitetin. Lartësia e kolonës kryesore të memorialit është 5.4 m, ndërsa kolonat e tjera kanë lartësi të ndryshme, që me shkëlqimin e tyre simbolizojnë veprën e këtyre arkeologëve. Në secilën prej tre kolonave janë të hapura tre formate xhami të presuara, ku me gërma bronzi janë gdhendur emrat, viti i lindjes dhe ai i vdekjes. Bazamenti rrethor është i kompozuar i tëri në pjesën e sipërme me motive dekorative, me mozaik, ku janë imituar pjesë nga Baptisteri i Butrintit Antik. Vepra është punë e inxhinierit arkitekt, Robert Kote, me qendër në Tiranë. sh.d