Evropa drejt Afrikës,luhet “seriozisht” në vetëm tetë përballje
Leonard Karaj
Dilemat kthjellohen sonte. Dy grupe do të njohin liderët e tyre, të cilat do të shkojnë direkt e në “Afrika e Jugut 2010”, ndërsa do jenë 5 skuadrat e tjera që do t’i bashkohen Irlandës, Bosnjës dhe Rusisë për ndeshjet play-off.
Në pak fjalë nga 24 ndeshje që do të zhvillohen sonte në 8 grupe në vetëm 8 stadiume do të luhet ende me sytë nga botërori afrikan. Ndërsa 16 takimet e tjera nuk do të jenë më shumë se miqësore. Aktualisht nga kontinenti evropian janë kualifikuar, Danimarka, Gjermania, Spanja, Anglia, Serbia, Holanda dhe Italia, ndërsa kanë siguruar një vend për në play-off, Rusia e Gus Hidink, Irlanda e Xhiovani Trapatonit dhe Bosnja e Çiro Blazeviç.
Grupi 1
Portugalisë i mjafton të preokupohet disi më shumë sesa në një ndeshje miqësore për të mundur modestët e Maltës. Fitorja do t’i çonte në vendin e dytë në grup, çka do të thoshte play-off. Nga ana tjetër Suedia pret të fitojë ndaj Shqipërisë me shpresën se maltezët do të mund të marrin të paktën një barazim. Danimarkë- Hungari luhet thjesht për statistikë.
Grupi 2
Zvicrës i duhet një barazim ndaj Izraelit për të prerë biletën për në Afrikë. Izraelitët nga ana e tyre duhet jo vetëm të fitojnë ndaj zviceranëve por edhe të shpresojnë që Luksemburgu do të mund të bëjë mrekullinë ndaj Greqisë, çka ka pak gjasa për të ngjarë. Takimi tjetër Letoni-Moldavi është totalisht një miqësore.
Grupi 3
Ka mbetur gjithçka pezull në këtë grup, kjo edhe për surprizën që bëri Sllovenia në shtëpinë e kryesuesve të grupit, Sllovakia të shtunën. Ndaj si sllovenët dhe sllovakët janë ende në garë për vendin e parë, ndërsa Çekia do të shpresojë shumë tek një fitore ndaj Irlandës së Veriut dhe një humbje e mundshme të Sllovenisë ndaj San Marinos.
Grupi 4
Luhet totalisht për të provuar lojtarët e rinj dhe për të kolauduar skuadrat pasi Gjermania ka siguruar pjesëmarrjen ashtu sikundër Rusia do të luajë në ndeshjet play-off.
Grupi 5
Takimi më i rëndësishëm i grupit Bosnjë-Spanjë mund të kthehet në më të mërzitshmin, kjo pasi që të dyja skuadrat kanë siguruar, Spanja pjesëmarrjen në “Afrikë 2010” ndërsa Bosnja, në ndeshjet play-off. Dy takimet e tjera Turqi-Armeni dhe Estoni-Belgjikë, thjesht do të kenë “nervat” e një miqësoreje pa asnjë lloj efekti më shumë.
Grupi 6
Ukraina duket e destinuara për të kapur vendin e dytë në grup, kjo pasi te ketë mundur sonte në shtëpinë e vet Andorën. Pak shanse për Kroacinë, e cila shpreson tek një gabim i Shevçenko & company, por edhe me faktin se duhet të fitojë ndaj Kazakistanit.
Angli-Bjellorusi do të jetë një tjetër ndeshje ku Fabio Kapelo do të provojë lojtarë të tjerë të rinj për kombëtaren e tij.
Grupi 7
Me Serbinë e kualifikuar trajnerit të Francës Rajmond Domenek nuk i mbetet veçse të kolaudojë skuadrën e tij për ndeshjet e play-offit. Pa asnjë lloj interesi edhe dy takimet e tjera Lituani-Serbi dhe Rumani-Ishujt Faroe.
Grupi 8
E njëjta gjendje edhe në grupin e tetë ku që të tria ndeshjet Bullgari-Gjeorgji, Irlandë-Mal i Zi dhe Itali-Qipro luhen vetëm për statistikë. Në këtë grup është kualifikuar Italia ndërsa do të marrë pjesë në ndeshjet play-off, Irlanda.
Ndeshjet
Grupi 1
20:45 Danimarkë-Hungari
20:45 Portugali-Maltë
20:45 Suedi-Shqipëri
Grupi 2
20:00 Greqi-Luksemburg
20:00 Letoni-Moldavi
20:00 Zvicër-Izrael
Grupi 3
20:30 Çeki-Ir. Veriut
20:30 Poloni-Sllovaki
20:30 San Marino-Slloveni
Grupi 4
18:00 Azerbajxhan-Rusi
18:00 Gjermani-Finlandë
20:00 Litenshtejn-Uells
Grupi 5
20:00 Bosnjë-Spanjë
20:00 Turqi-Armeni
20:30 Estoni-Belgjikë
Grupi 6
17:30 Andorë-Ukrainë
17:30 Kazakistan-Kroaci
21:00 Angli-Bjellorusi
Grupi 7
20:00 Francë-Austri
20:00 Lituani-Serbi
20:00 Rumani-Ish. Faroe
Grupi 8
20:00 Bullgari-Gjeorgji
20:00 Irlandë-Mal i Zi
20:00 Itali-Qipro