Dritëro Agolli feston 78-vjetorin e lindjes
tirane
Në shtëpinë Agolli hyjnë e dalin njerëz pa fund. Janë miq, të afërm, lexues... Nuk është ndonjë përvjetor “rrumbullak”, megjithatë kjo nuk i pengon dashamirët të shkojnë e të vizitojnë shkrimtarin në 78-vjetorin e lindjes. Duket se lexuesi po i kthen Dritëro Agollit gjithë atë dashuri që ai u ka dhënë përmes krijimtarisë së tij. Dhe një ditë lindjeje është gjithnjë një rast i mirë për të treguar se njerëzit nuk të harrojnë dhe mezi ç’presin të ofrojnë mirënjohje. “Nuk është ndonjë përvjetor dhe menduam ta festojmë mes tonë, në familje, po ja që prej mëngjesit nuk kanë reshtur vizitat dhe shumë të tjerë presim që të vijnë”, - thotë zonja Sadije, bashkëshortja e shkrimtarit Dritëro Agolli. “Për çdo vit Dritëroit i është festuar ditëlindja dhe ne jemi vërtet shumë të kënaqur”, thotë ajo. Nuk mjaftojnë vizitat në shtëpi, por ndërkohë telefoni nuk pushon së rëni, qoftë ai fiks, apo në celular, ku mesazhet vijnë varg. Njerëz nga brenda e jashtë Shqipërisë urojnë edhe shumë vite të tjera të bardha për shkrimtarin. Janë shkrimtarë, mjekë, politikanë... Të gjithë deputetët e Partisë Socialiste shkuan ta vizitojnë në shtëpi shkrimtarin. Kush me buqeta me lule, kush me ndonjë pije të preferuar të Dritëroit, aq sa zonja e shtëpisë, me zor ua gjen vendin në sallon.
Teksa kthen kokën pas, këto 78 vite i duken shumë edhe pak. Shumë sepse ka parë kaq shumë t’i kalojnë përpara syve gjatë këtyre viteve, por edhe pak, sepse ka ende pengje. “E rëndësishme është që njeriu të ketë bërë diçka, të ketë lënë një gjurmë”, do të thoshte shkrimtari. Dhe ai ka lënë jo pak. Dhe ende vazhdon të jetë aktiv. Vazhdimisht është i pranishëm në faqet e mediave me intervista dhe opinione mbi ngjarje të ditës, sidomos ato politike, por edhe për çështje më të mprehta, si në rastin e historisë së Shqipërisë, apo Enciklopedisë maqedonase. I ka vend fjala dhe jo më kot ka marrë “statusin” e “të urtit”, apo “patriarkut”.
Tashmë më së shumti kohën e kalon në sallonin e shtëpisë, pas tryezës së tij rrumbullake, mes librash dhe shkrimesh. U bënë kohë që ka nisur të shkruajë kujtimet e jetës së vet. Ka qenë një ide që i lindi që në të 60-at dhe tani po mundohet të vërë rregull mes kujtimesh të shumta, copëza të shkruara aty-këtu, fotografi e letërkëmbime. Kujtimet nisin atje, ku ai njohu botën për herë të parë, në vendlindje, për t’u ngjitur në kohë, me studimet, rinia, kujtimet nga Rusia, njohja me bashkëshorten, puna si gazetar, njohja me njerëz të ndryshëm, e shumë e shumë të tjera. Kjo është edhe arsyeja pse nuk e ka të lehtë ta shkruajë, madje është libri i tij më i vështirë. Nuk e di se kur do ta shohin dritën e botimit, pasi aty thotë ca të vërteta, që njerëzve mund t’u vijnë pak hidhur, por gjithsesi ai dëshiron t’i shkojë deri në fund. Një tjetër gëzim janë nipi e mbesa, të cilët gjyshi flokëbardhë nuk i heq nga goja.
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit në 13 tetor të vitit 1931. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Shën Petersburg. Punoi për një kohë të gjatë gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria e tij letrare është e pasur. Ka lëvruar poezinë, poemën, tregimin, novelën, romanin, dramën, por ka shkruar edhe skenarë filmash, mes të cilëve mund të veçojmë “Njeriu me top”, “I teti në bronz”, “Horizonte të hapura” etj. Është fitues i disa çmimeve dhe titujve. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Në prozën e tij Agolli solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
Vepra
- "Në rrugë dolla", poezi
- "Hapat e mia në asfat", poezi
- "Zhurma e erërave të dikurshme", përralla
- "Shtigje malesh dhe trotuare", poezi
- "Mesditë", poezi
- "Nënë Shqipëri", poemë
- "Fjala gdhend gurin", poezi
- "Komisari Memo", roman
- "Njeriu me top", roman
- "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", roman
- "Trëndafili në gotë", roman
- "Fytyra e dytë", dramë
- "Mosha e bardhë", dramë
- "Udhëtoj i menduar", poezi
- "Njeriu i mirë", tregime
- "Kalorësi lakuriq", roman
- "Dështaku", roman
- "Arka e Djallit", roman etj.