E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet "dëshmitari" i vrasjes së Hajdarit

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës liroi dje nga qelia Petrit Çakrrin, të njohur si një nga dëshmitarët e vrasjes së ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari, në vitin 1998. Sipas vendimit të djeshëm, Çakrri është mbajtur në mënyrë të padrejtë në burg për një periudhë prej 4 muajsh. Kërkesa për lirim nga burgu ishte bërë kohë më parë nga i dënuari, me pretendimin se dënimi i tij kishte përfunduar dhe se ai po mbahej padrejtësisht. Personi, emri i të cilit u mediatizua pak muaj më parë, për shkak se pas një lejeje nuk u kthye më në vendin e vuajtjes së dënimit, do të jetë tashmë i lirë. Pas shqyrtimit të fakteve, gjyqtari Artan Broci urdhëroi dje lirimin nga qelia të Çakrrit. Petrit Çakrri po vuante në qelitë e burgut të Shën Kollit në Lezhë bashkimin e dy dënimeve, që kapnin një total prej 10 vjetësh e 6 muaj. Ai kishte marrë dy dënime me nga 6 vjet për veprat penale të "grabitjes me armë" e "armëmbajtjes pa leje", si edhe për "mashtrim". Ndërkohë që pas një amnistie të ish-presidentit Alfred Moisiu, në vitin 2007 Çakrri kishte përfituar 1 vit e 2 muaj ulje nga koha e vuajtjes së dënimit. Mësohet se ishte mosllogaritja e saktë e kësaj uljeje, ajo që e ka lënë Petrit Çakrrin në qeli edhe 4 muaj të tjerë. Në 15 janar të këtij viti Petrit Çakrri u arratis "me finesë" nga ambientet e burgut të Shën Kollit. Pasi kishte përfituar një leje të përkohshme për dalje nga burg, ai u largua dhe nuk u kthye më në kohën e paracaktuar nga autoritetet e burgut. Largimi i Çakrrit u konsiderua si arratisje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila kërkoi ndihmën e Policisë së Shtetit për kapjen e tij. Ndërkohë që në lidhje telefonike me disa televizione të vendit, Çakrri pretendonte se dënimi i tij kishte mbaruar. Pas 3 muajsh vendndodhja e Çakrrit u gjet dhe ai u arrestua.             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›