Berat, ujërat e zeza rrezikojnë pallatin
BERAT - Një pallat me 30 familje që ndodhet në mes të qytetit të Beratit rrezikon të shembet si pasojë e gërryerjes së themeleve nga kanali i ujërave të zeza. Bllokimi i këtij kanali, nga ndërtimi e disa banesave, nuk lejon shkarkimin e ujërave. Banorët janë ankuar disa herë duke bërë evident shqetësimin e tyre, por ndërhyrja është shumë e vështirë, për shkak të vendit tejet të ngushtë. Madje aty nuk mund të futet as ndonjë mjet për të thithur ujin e mbledhur. Pallati 4-katësh është ndërtuar në vitin 1970 dhe në të janë strehuar 30 familje. Që nga ajo kohë, godina nuk njeh asnjë rikonstruktim e tashmë amortizimi i themeleve të saj është mjaft alarmant. Themelet e saj "lundrojnë" nga ujërat e zeza. Ato kanë depërtuar në të duke dhënë edhe kambanën për rrezikun që iu kanoset familjarëve që jetojnë në të. Burime nga bashkia bënë të ditur se janë në dijeni të kësaj gjendjeje, por ata janë të pafuqishëm për të ndërhyrë, pasi pranë pallatit janë ngritur ndërtime të reja. Ujërat nuk kanë se nga të shkarkohen dhe për këtë shkak ato kanë krijuar një pellg të frikshëm për qytetarët. Këta të fundit ankohen se veçse rrezikut të gërryerjes së themeleve, ky kanal është burim për infeksione. Drejtoresha e Shërbimit Publik në Bashkinë e Beratit, Flutura Mbrati pohoi problematikën. Sipas saj, gjendja e krijuar është e rëndë, pasi kanali i ujërave të zeza është bllokuar nga ndërtimet e reja dhe uji nuk shkarkohet. d.xh