Itali, vazhdojnë tërmetet, 267 viktima, mes tyre fëmijë
Italia është në makth nga lëkundjet e vazhdueshme sizmike që nuk kanë të reshtur, duke shtuar frikën për shtimin e numrit të viktimave që deri tani ka mbërritur në 267. Në zonën qendrore të goditur prej tyre, në Aquila, ku nuk kanë përfunduar përpjekjet për të nxjerrë trupa nga rrënojat, ka pasur sërish ndërtesa të rrëzuara nga dridhjet. Shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja janë shumë të zbehta. Sipas kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, numri i vërtetuar i viktimave është 267, por ka ende 20 të zhdukur dhe 1179 të plagosur. Shoqatat e ndihmës së shpejtë kanë konfirmuar 25 mijë të pastrehë. Me keqardhje kryeministri Berluskoni ka deklaruar, se qyteti i Aquila-s është kthyer në një qytet fantazmë. “Për fat të keq ky është bërë një qytet fantazmë”, tha ai duke komentuar dëmet e krijuara nga tërmeti. “Problemi tani është se ku dhe si t’i sistemojmë ata që janë pa shtëpi dhe që sigurisht nuk mund të kthehen të banojnë këtu”, shtoi ai. Një tjetër zë nga qeveria Berluskoni, ministrja e Arsimit, Mariastella Gelmini, ka njoftuar shifrën 110 milionë euro për rindërtimin e shkollave të Abruzzo-s, të shkatërruara nga tërmeti. Ministrja ka premtuar se askush nuk do ta humbasë vitin shkollor. Kryeministri Berluskoni ka premtuar se Aquila do të jetë qyteti i parë i ri në Itali, pas fushatës së rindërtimit, që do të nisë së shpejti. Tani për tani 17 772 persona janë sistemuar në tenda, prej të cilave janë instaluar 2 962. Veç tyre janë formuar edhe tendat e emergjencës: 24 tenda kuzhine dhe 14 ambulance. Edhe 4 mijë tenda të tjera janë në dispozicion për të tjerët që kanë mbetur të pastrehë. Të premten u konfirmua nga autoritetet, që do të zhvillohen funeralet solemne për viktimat. Pritet që në bashkëpunim me autoritete shtetërore në zonën tërmetit të shkojë edhe Papa Benedikti XVI.
“Mashtrimi”
Një faqe në internet ka publikuar lajme mbi një tjetër tërmet të fortë gjatë pasdites, si ai i së hënës, që do të ndodhte sërish në Aquila. Autoritetet e kanë bllokuar hyrjen në këtë faqe interneti, e cila kishte alarmuar banorët dhe kishte acaruar më shumë gjendjen kaotike në zonën e prekur prej tërmetit. Adresa, e cila i përket asaj që është vlerësuar si një qendër shkencore fanatike për kërkimet sizmike, është sekuestruar.
Përfitime
Një furgon plot me mish ka mbërritur në Pizzoli, një zonë e prekur nga tërmeti, duke iu kërkuar banorëve 80 euro për një kilogram mish. Shumë njerëz të indinjuar kanë lajmëruar mbrojtjen civile nga ku u nisën menjëherë karabinierët që janë në ndjekje të përgjegjësve. Veç kësaj kanë nisur vjedhjet masive në zonën e goditur nga tërmeti. Dje policia italiane ka ndaluar në dalje të qytetit të vogël Onna dy persona me 80 mijë euro, origjina e të cilave nuk ishte deklaruar. Hetimet vërtetuan se paratë ishin vjedhur nga shtëpitë gjysmë të shkatërruara. Të dy personat ishin italianë. Kryeministri Berluskoni e ka dënuar ashpër këtë fenomen. “Po lind krimi i grabitjes. Për sa i përket verifikimeve kemi në terren 1 000 persona. Kemi vendosur se në këtë rast krimi i grabitjes dhe vjedhjes do të ndëshkohet shumë, shumë ashpër”, tha ai.
500 milione|
euro do të jetë ndihma e ofruar nga Bashkimi Evropian për Italinë për të përballur pasojat e tërmetit. Lajmin e konfirmoi komisioneri evropian për transportet, Antonio Tajani. Kreu i KE, Hoze Manuel Barroso e quajti këtë një tragjedi evropiane. 267 viktima
janë konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni ndërkohë që ka ende 20 të zhdukur dhe numri i tyre mund të shtohet. Mes viktimave janë edhe 16 fëmijë.