E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i afganëve, kapen në Tiranë 7 klandestinët

 

Etleva Delia

Policia zbuloi në Tiranë shtatë shtetas afganë, që kishin hyrë klandestinë nga Greqia, me një maune me qëllim që të kalonin në Itali. Ngjarja ndodhi dje kur policia ra në gjurmë të shtatë personave nga Afganistani, kur ata po lëviznin në këmbë përgjatë Unazës së Re, nga Dogana, në drejtim të Urës Teknologjike në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare, klandestinët kanë përshkuar rrugën nga Afganistani në Pakistan, në Iran, më pas në Turqi, nga ku kanë kaluar transit në Greqi e më pas në Tiranë. Ata janë nisur nga lindja në periudha të ndryshme kohore, duke paguar 49 mijë dollarë, nga 7 mijë dollarë secili për të shkuar në Greqi dhe që andej të kalonin më pas në vendet e Evropës Perëndimore. Në Selanik ata janë ndaluar nga policia, e cila ka marrë vendimin për deportimin e tyre. Sipas dëshmive të dhëna nga afganët pas ndalimit të tyre në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, rezulton se në kohën që autoritetet greke kanë marrë vendimin për deportimin e tyre, ata kanë arritur të hipin fshehurazi në një kamion, i cili kishte si destinacion Italinë, por do të kalonte nga Shqipëria.
ZBULIMI
Klandestinët afganë, që kishin mbërritur disa javë më parë në Greqi, kanë hipur para dy ditësh në kamionin që mbërriti në Tiranë. Ata kanë qëndruar pa rënë në sy derisa kanë mbërritur në vendin tonë. Drejtuesi i kamionit, i cili ka ndaluar për të ngrënë drekë në një lokal në autostradën Durrës-Tiranë, ka dëgjuar disa zhurma që vinin nga brendësia e kamionit dhe pasi ka hapur rimorkion, ka parë 7 persona për të cilët gjatë gjithë rrugës nuk e dinte që po udhëtonin bashkë me të. Afganët e pyetur nga oficerët e Sektorit të Kufirit dhe Migracionit, treguan se drejtuesi i kamionit i ka zbritur me forcë nga automjeti dhe është larguar. Më pas ata kanë ecur në këmbë përgjatë autostradës, deri tek Dogana në Tiranë dhe më pas në Unazën e Re ku i ka ndaluar policia dhe janë shoqëruar për të dhënë deklarimet e tyre. Klandestinët e ndaluar janë: Nader Dari, Rasoolhan Maroufhel, Nashiri Naziboula, Sultangani Lewrkhan, Ulla Shaker, Sarahmet Husein dhe Seringol Marufhel. Të gjithë janë të rinj, më i vogli 15 vjeç dhe më i madhi 23 vjeç. Sipas policisë destinacioni i klandestinëve afganë ka qenë Italia dhe më pas vendet e tjera të Evropës Perëndimore, ku ata pretendonin të qëndronin dhe të kërkonin punë. Ndërkohë Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Tiranën, ka nisur procedurat për deportimin e tyre nga Shqipëria në drejtim të vendit të origjinës.

KLANDESTINET

1. Nader Zarif Dari,
15 vjeç
2. Rasoolhan Zamanhan Maroufhel,
19 vjeç
3. Nashiri Rahman Naziboula,
21 vjeç
4. Sultangani Umar Lewrkhan,
19 vjeç
5. Ulla Sherinkhan Shaker,
23 vjeç
6. Sarahmet Husein Husein,
23 vjeç
7. Seringol Omargol Marufhel,
23 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›