E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia në Burrel, 2 mijë vetë do votojnë në burg

 

BURREL/ HASAN PASHA

Për 2 mijë banorë të qytetit të Burrelit, qendra e votimit do të jetë burgu i sigurisë së lartë ose paraburgimi i komisariatit të qytetit. Një anomali elektronike apo jo, të dhënat që dilnin në faqen zyrtare të listës zgjedhore, ka çorientuar votuesit e lagjes "Pjetër Budi". Ata janë befasuar kur kanë konstatuar se adresa e qendrës së tyre të votimit është Komisariati i Policisë (paraburgimi) dhe burgu i sigurisë së lartë Burrel. Sapo zgjedhësit kanë klikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, kanë shtangur kur kanë parë se qendrat e tyre të votimit kishin ndryshuar. Më parë këta zgjedhës kanë votuar në qendrat e votimit: shkolla 9-vjeçare "Ilia Qiqi" dhe "Pallati i Sportit Burrel", ndërkohë tani ata nuk figurojnë në faqen zyrtare të dikasterit që merret me zgjedhjet. Zgjedhës me banim nga kullat, në qendër të Burrelit, dhe deri në periferi të qytetit thanë se "nuk është rastësi që qendrat tona të votimit emërtohen në këtë mënyrë. A nuk kishte mundësi Ministria e Brendshme t'i emërtonte ndryshe këto dy qendra votimi? Vazhdimisht jemi ankuar për listat. Dhjetëra të vdekur janë gjendje në këto lista". Sipas tyre, qindra të tjerë banojnë jashtë vendit, në njësi të tjera vendore dhe ende figurojnë në listat e Bashkisë së Burrelit. Ata theksojnë se është ndryshuar qëllimisht qendra e votimit për shumë zgjedhës, vetëm për t'i sorollatur ata. "Së fundi mësojmë dhe lajmin tjetër interesant, - pohuan zgjedhësit e qendrës së votimit, - se shkolla "Ilia Qiqi", qendra jonë e votimit, është spostuar në Komisariatin e Policisë dhe burg. Këto janë marrëzi që duhen korrigjuar në kohë rekord". Në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr.6 nuk jepen sqarime në lidhje me këtë çështje, ndërkohë burime pranë gjendjes civile Burrel thonë se skandali është evident dhe se do t'i kërkohet Ministrisë së Brendshme ta korrigjojë këtë gabim trashanik. Në rast të kundërt, më 28 qershor, të 2 mijë banorët u bie të mbajnë radhë pranë mureve të burgut të sigurisë së lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›