E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shakaja e 1 prillit, nxënësit “dënohen” me lyerjen e pemëve

 

SARANDE - Shakaja e 1 prillit vijon të lërë gjurmë ende në qytetin e Sarandës. Nxënësit që u bënë pjesë e kësaj loje i kanë dhënë vetes “dënim alternativ”, duke kërkuar të bëjnë punë publike në qytet. Ashtu siç u vendos pak ditë më parë, dje në bashki u paraqit e gjithë klasa e dytë B e shkollës jopublike “Dea”, e cila ka vendosur të rikuperojë imazhin duke kryer punë në shërbim të komunitetit për 1 muaj të tërë. Dje dita e parë e punës së tyre nisi me lyerjen e pemëve. Gjimnazistët shkuan dje në bashki dhe pasi u pajisën me veglat e punës nisën aksionin. Puna e tyre nuk iu shpëtoi as syve kureshtarë të kalimtarëve, të cilët prej dekadash nuk kishin parë organizim të tillë vullnetar. Pas lyerjes së pemëve, nxënësit do të bëjnë punë të tjera, si pastrim qyteti, etj. Më 1 prill, për të bërë një shaka në klasë ata konsumuan valium, të cilin e kishin blerë në farmaci. Por, kokrrat e pira prej rreth 20 nxënësve dhanë efekt negativ për 6 prej tyre, duke përfunduar në spital.        sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›