Berat, ura e Goricës, kthim në identitet
BERAT- Ura e Goricës, ndër më të vjetrat në vend, do të kthehet në identitet. Drejtoria e Monumenteve dhe Bashkia e qytetit nisën dje punën për urën, monument kulture në të cilën është vënë dorë për herë të fundit 50 vite më parë. Një fond prej 35 milionë lekësh është parashikuar jo vetëm për restaurimin e saj, duke i ruajtur vlerat muzeale, por edhe për pastrimin e shtratit të Osumit. Mbetjet inerte i kanë zënë thuajse të gjitha këmbëzat e kësaj ure, e cila daton që në vitin 1774. Nxjerrja e sipërfaqes së këmbëzave të urës së Goricës pritet të realizohet brenda pak ditësh. Menjëherë pas çeljes së fondit nga ana e qeverisë, ekskavatorët kanë nisur tashmë punën. Ura ishte mjaft e rrezikuar nga mbetjet urbane dhe prurjet e gurta. Me këtë fond, bashkia vendosi të kryejë jo vetëm pastrimin e lumit por edhe nxjerrjen në pah të njërës prej monumenteve më të vjetra jo vetëm të qytetit, por në gjithë vendin. Sipas specialistëve, Ura e Goricës është ndërtuar në vitin 1774 nga Kurt Pasha. Sipas nënkryetarit të bashkisë Stavri Ceca, institucioni ku ai është drejtues, prej vitesh kishte kërkuar një fond për të pastruar shtratin e lumit, i cili kishte bllokuar këmbazët e urës Goricë. Ceca u shpreh ndër të tjera se bashkia do të kryejë edhe ndonjë riparim të mundshëm të kambëzave të urës monument kulture. Për këtë mësohet se janë vënë në funksion të saj arkitektët më të mirë të qytetit, në mënyrë që veç rikonstruktimit, ura të kthehet në identitet duke ruajtur vlerat e saj muzeale.