Zjarr në kabinën elektrike të konviktit
GJIROKASTER - Shpërthimi i papritur i kabinës kryesore elektrike, në katin e parë të konviktit të studentëve të Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, ka shkaktuar panik te 300 bujtëset. Ngjarja ka ndodhur në orën 15:00 të së premtes, por menjëherë është lokalizuar falë ndërhyrjes së zjarrfikësve. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Gjirokastrës, thanë për gazetën nga vendi i ngjarjes se, shpërthimi i kabinës elektrike ka ardhur si pasojë e mbingarkesës dhe falë ndërhyrjes në kohë të punonjësve të policisë lokale dhe shërbimit zjarrfikës, është bërë i mundur evakuimi i studentëve, si dhe shuarja e flakëve të zjarrit. “Të gjithë banorët e godinës gëzojnë shëndet të mirë dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është plagosur”, shprehet burime zyrtare, duke nënvizuar se, godina katërkatëshe e ndërtuar 20 vjet më parë, nuk plotëson kushtet e daljes së emergjence. “Dua të falënderoj punonjësit e policisë lokale dhe shërbimit zjarrfikës, që bënë të mundur qetësimin e situatës dhe eliminimin e dëmeve materiale”, shprehen studentet konviktore. Në qytetin e Gjirokastrës ekzistojnë katër konvikte, dy në shërbim të shkollave të mesme profesionale dhe dy në funksion të studentëve. p.n