E Shtunë, 31 Tetor 2026

Menaxheria e Qelqtë, drama pushton skenën teatrore

Menaxheria e Qelqtë është drama që pasqyron iluzionet e një realiteti dhe bote të pamëshirshme,e cila vijon të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar. Shfaqja mban autorësinë e amerikanit Tennese Williams. Vepra vjen për publikun me regji të Adonis Filipit dhe skenografi e kostumografi të maqedonasit Blagoj Micevski. Për këtë vepër regjisori ka zgjedhur një staf të njohur aktorësh si: Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Arben Derhemi dhe Monika Lubonja. Për veprën regjisori Filipi u shpreh se e kishte bërë këtë përzgjedhje pasi autori i saj të krijon mundësi që të ekspolorosh në dramë. Ajo që të tërheq në vepër, në radhë të parë unë mendoj se ka një lloj formule, ka një lloj ekuacioni. Përgjithësisht dramaturgët që kanë bërë emër, që janë epokalë kanë gjithmonë hapësira për të eksploruar në dramaturgjinë e tyre pastaj vetë poeteka që mbart në vetvete ky autor, vetë problematika mendoj se ka shumë shije në raport për të ardhmen në kohë, tregon regjisori Adonis Filipi. Më tej ai tregon se kjo vepër ka dhe mesazhe për realitetin, që po jeton shoqëria shqiptare në ditët e sotme dhe kjo sipas tij vjen nga problematika që trajton vepra e autorit amerikan Williams. Ka shigjetime shqiptare, sepse vetë problematika që trajton vepra është universale, është e çdo individi, e çdo shoqërie, e çdo komuniteti. Njerëzit nuk duhet të jenë të tërhequr sepse janë të vetë izoluar, por edhe ata duhet të bëjnë një jetë si gjithë të tjerët. Në këtë kontekst vepra fiton dhe shigjetime shqiptare. Ne duhet të jemi të barabartë me njëri-tjetrin dhe secili duhet të jetojë atë që i ka falur natyra. Në këtë kontekst vepra merr çdo lloj mesazhi, por ajo ka dhe një ndjesi shumë poetike që e sjell në kohë veprën, vijon më tej regjisori Filipi. Vepra është vënë në shumë skena të botës dhe ajo është pritur mirë nga publiku. Regjisori Adonis Filipi e ka zgjedhur këtë vepër për të na përcjellë historinë e një familjeje amerikane, ku përmes kujtimeve që sjell ndër mend djali i kësaj familjeje do të ngjitet në skenë historia e një nëne dhe dy fëmijëve të saj tashmë të rritur. Nëna, e interpretuar nga aktorja Yllka Mujo, pas largimit të të shoqit, është fokusuar në gjetjen e një bashkëshorti për vajzën e saj. Në këtë moment, Tomi, i cili interpretohet  nga aktori Arben Derhemi, i risjell në vëmendje së motrës ish-shokun e saj të shkollës. Por zhgënjimi i vajzës së familjes, e cila interpretohet nga aktorja Monika Lubonja, ndodh kur ajo merr vesh se ky djalë është i fejuar. Vepra  fillimisht u shkrua si skenar filmi në Hollivud. Pjesa u vu për herë të parë në skenë në vitin 1944 në Çikago. Por temat që ajo trajtonte bëri që ajo të vlerësohej një vit më vonë me çmimin e rrethit të kritikës në Nju Jork. Ndërkohë që gjashtë vite më vonë ishte regjisori Irving Rapper, i cili mbi subjektin e veprës "Menaxheria e qelqtë" realizon një film televiziv. Vepra nga autori i madh amerikan janë vendosur dhe më parë në skenën teatrore shqiptare, duke marrë vlerësimin e publikut. Shfaqja vjen si produksion privat i kompanisë teatrore Art Blu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›