OSSH: Nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike
Dollapi: Vetëm OSSH mund të kërkojë rritje të çmimit tek ERE
Brenda 2009 s’parashikohet ndryshim i tarifave të energjisë
Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për konsumatorët. Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sait Dollapi, ka garantuar gjithë konsumatorët shqiptarë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe se deri më tash kjo ndërmarrje është kundër një vendimi të tillë. Duke parë shqetësimin e ngritur ditët e fundit se mund të ketë ndryshim të tarifave të energjisë, duke i rritur ato, Dollapi ka sqaruar në një takim me gazetarët se institucioni që ai drejton ka të drejtën për të kërkuar ndryshim të tarifave pranë ERE, por deri më tash nuk ka aplikuar për të ndryshuar çmimin e energjisë. “Është trajtuar në disa media problemi i çmimit të energjisë elektrike. I vetmi subjekt i cili ka të drejtë të aplikojë për ndryshimin e çmimit të shitjes është OSSH, sipas modelit të tregut dhe vendimeve të ERE-s. Ju vë në dijeni ju dhe gjithë opinionin që OSSH nuk ka aplikuar për ndryshimin e çmimit, për rritjen e tij, nuk ka aplikuar dhe nuk do aplikoj për këtë proces gjithashtu”, - ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Dollapi. Ai nënvizoi se duhet të sqarohet se edhe në qoftë se aplikohet për rritjen e çmimit në një moment, afatet ligjore janë 6 muaj pas aplikimit për ndryshimin e çmimit (futet në fuqi ndryshimi i çmimit ose merret në shqyrtim nga ERE). Me këtë argument Dollapi ka sqaruar se për vitin 2009, OSSH nuk ka në planet e saj t’i kërkojë Entit Rregullator të Energjisë që të ndryshojë tarifat e faturimit të energjisë elektrike. Nga ana tjetër Dollapi siguroi konsumatorët se furnizimi me energji elektrike është i garantuar dhe prej kohësh konsumatorët shqiptarë kanë harruar momentin se kur fiken dritat, sepse ata furnizohen 24 orë me energji elektrike. Nga ana tjetër, ai tha se OSSH ka një performancë të mirë për sa u përket treguesve. “Dua të jap një sqarim për të gjithë konsumatorët dhe për të gjithë opinionin shqiptar që rezultatet e kompanisë edhe në këtë proces privatizimi janë jashtëzakonisht të mira. Krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje të arkëtimeve për të njëjtën periudhë, në familjare rreth 4 %, në privat rreth 12 %”, - tha Dollapi. Sipas tij, ka një përmirësim të nivelit të humbjeve me rreth 1 % dhe ka në përgjithësi arkëtimin në total në shkallë vendi, i cili është përmirësuar me rreth 4 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. “Dua të them që edhe plani i investimeve për gjithë kompaninë është realizuar në masën 110% ose kemi një tejkalim të nivelit të investimeve, por vazhdimisht ne do përmirësojmë treguesit nëpërmjet përmirësimit të sistemit të shpërndarjes, nëpërmjet përmirësimit të rrjetit dhe nëpërmjet të gjitha investimeve që do kryejë Sistemi i Shpërndarjes në tërësi në të gjithë vendin”, - është deklaruar dje Dollapi.