E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati i harruar nga qeveritë

Jorgji ZALLEMI 

I.  Qyteti i Beratit radhitet si një nga qytetet kryesore të vendit bashkë me Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, Fierin, Gjirokastrën, Korçën dhe Vlorën. Mbas vitit 2000 janë bërë investime të konsiderueshme nga qeveritë në disa prej këtyre qyteteve për infrastrukturën, veçanërisht në rrugë të standardeve ndërkombëtare me fondet e Komunitetit Evropian dhe të buxhetit. Të gjitha këto qytete brenda vitit 2008 janë të lidhura me korridoret Veri–Jug dhe Perëndim–Lindje dhe si rezultat i këtyre investimeve këto qytete kanë shkurtuar distancën në kilometra dhe në kohë me kryeqytetin, Tiranën, aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, portet detare dhe midis njëri-tjetrit.
   Berati, megjithëse jemi në fund të vitit 2008, rruga që e ndan me korridorin Veri-Jug, është rruga Lushnjë–Berat e vitit 1920, rreth 40 km, e cila përshkohet për 1 orë mbasi është e amortizuar dhe me kthesa të shumta e të forta deri në 360°, që janë bërë burim aksidentesh dhe viktimash.
Për të normalizuar disi gjendjen duhet të vendosen me çdo kusht në buxhetin e vitit 2009 fondet për ndërtimin e rrugës së re Lushnjë-Berat. Kjo rrugë do të zvogëlojë ndjeshëm distancën midis Beratit, Kuçovës dhe Skraparit me Tiranën. Rruga e re do jetë rreth 10 km më e shkurtër nga ekzistuesja, do ta afrojë Beratin me tregun dhe me portin kryesor të vendit. Koha nga Lushnja në Berat do të reduktohet në 20-25 minuta, për shkak se terreni është tërësisht fushor. Qarkut të Beratit në vitet 1990-2008 nga qeveritë e PD dhe të PS i janë dhënë fonde vetëm për rrugë fshati, ujësjellës e kanalizime fshati.
Kjo rrugë është jetike për Qarkun e Beratin, sepse ka disa veçori të rëndësishme:
Së pari, është një rrugë, e cila lidh në udhëtim më të shkurtër Tiranën me Beratin, Kuçovën dhe Skraparin me 10 km, afron banorët e këtij qarku dhe biznesin me Tiranën dhe do të ulë koston e transportit për rajonin.
Së dyti, segmenti rrugor Lushnjë (autostrada)–Ura Vajgurore do zhvillohet në gjurmë të re, ndërsa segmenti Ura–Vajgurore–Berat do të zgjerohet rruga ekzistuese. Kalimi i kësaj rruge nëpër këto zona do t’i japë një zhvillim shumë të madh zonës. Një pjesë e banorëve të zonës do të përfitojnë nga shpronësimet, të tjerë në të dy anët e rrugës do të ngrenë bizneset e tyre, ku do të vetëpunësohen njerëz dhe në buxhetin e shtetit do të vijnë të ardhurat nga taksat e tatimet.
Së treti, kjo rrugë i jep mundësinë që qyteti muze i Beratit të ketë shumë më tepër se sot vizitorë nga vendi e bota dhe biznesi të investojnë kapitalet e tyre edhe në drejtim të turizmit në zonat turistike si në Kala, Mangalem dhe Goricë, lagje të cilat po braktisen dhe shtëpitë e tyre karakteristike po degradojnë.
II. Në buxhetin e viti 2009 të vendosen fondet për ndërtimin e unazës së qytetit me gjatësi 8 km (Kombinat Tekstile - Velabisht – Shtrati i lumit Osum – Bilcë - Uznovë). Me këtë unazë mënjanohet trafiku i rëndë që sot kalon mes përmes qytetit dhe i jepet mundësia qytetit të zgjerohet në të dy anët e lumit Osum.
Deputetët që ka zgjedhur populli i Beratit nga viti 1990 deri më 2008 nuk kanë kërkuar të paktën një interpelancë në Parlament për investimet me Kryeministrin apo me ndonjë ministër, por për habi shoqërojnë kryeministrat ose ministrat kur shkojnë në Berat, në vend që të organizojnë popullin të protestojë bashkë me ta. Këta deputetë janë kthyer në rrogtarë të Parlamentit. Deri më sot nuk kanë ngritur zërin e popullit që i ka zgjedhur, por janë kthyer në ushtarë të bindur të partisë që përfaqësojnë. 
Me të drejtë kërkojmë që qyteti muze i Beratit të merret në mbrojtje nga UNESCO, por në fakt investimet nga buxheti i shtetit për t’u ruajtur trashëgimia kulturore në këtë qytet janë qesharake, në një kohë që ka shumë nevojë për investim, që edhe ky qytet të futet në rrugën e zhvillimit të turizmit kulturor, duke shfrytëzuar resurset në lagjet Kala, Mangalem dhe Goricë.
Ekonomist, 
Sekretar i Përgjithshëm i
Shoqatës “ANTIPATREA”, Berat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›