E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Turandot" opera shqiptare triumfon

28/04/2005  Në "përballjen" me kryeveprën e Puçinit "Turandot", trupa e operas shqiptare ka triumfuar në mënyrë absolute, duke treguar edhe një herë kapacitetet e jashtëzakonshme të artistëve dhe instrumentistëve shqiptarë

Triumf! Triumf dhe sërish triumf. Pa e ekzagjeruar aspak, kjo është e vetmja fjalë që mund të thuhet për vënien në skenë të kryeveprës së Puçinit "Turandot", një ndër kryeveprat e muzikës operistike botërore, premiera e së cilës u shfaq ditën e martë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Artistët shqiptarë mundën me shumë sukses të "sfidojnë" vetveten dhe të gjithë ata që, ndoshta, patën hije dyshime. Eshtë e vërtetë që "Turandot" është jo vetëm një kryevepër e muzikës operistike botërore, por edhe me një shkallë shumë të lartë vështirësie. Kjo jo vetëm në aspektin e muzikal, por edhe në masivitetin e pjesëmarrësve, kryesisht të një kori gjigand, i cili nën drejtimin e mjeshtres Suzana Turku, mrekulloi të gjithë të pranishmit në sallë, si në skenë, ashtu edhe në momentet kur interpretoi edhe pas kuintave, ku, paralelisht spikati edhe interpretimi i tyre teatral. Një orkestër "gjigande" (shumë më e madhe në numër se çdo shfaqje e mëparshme), e cila e udhëhequr nga maestro Fabio Pirona "rezonoi" harmonikisht në shpirtin e çdo spektatori, duke krijuar emocione të pafund... Por e gjitha kjo do të ishte shumë pak, pa interpretimet e solistëve shqiptarë të parametrave ndërkombëtarë, që korrën duartrokitje të pafund dhe me qindra "bravo". Eshtë e vështirë të përcaktosh se kush ishte protagonisti, pasi të gjithë rolet kishin një një shkallë vështirësie shumë të lartë, por krijohej përshtypja se Liu (Marjana Leka) u "vodhi" paksa lavdinë dy heronjve të shfaqjes. Një soprano, që me timbrin e saj të ngrohtë të bënte të kuptoje çdo ndjenjë të saj (edhe në rast se dikush nuk kupton italisht), e ndoshta, pasi vetë Puçini ka dashur ta përballë me dinjitet këtë "skllave" me dy personazhet e tjera me gjak blu. Pa dyshim që në të njëjtin nivel u prezantuan edhe princesha Turandot (sopranoja Irini Nikolla) dhe princi Kalf (tenori Agim Hushi), të cilët jo vetëm në aspektin vokal, por edhe në atë të lojës teatrale, mundësuan që kjo vepër e mrekullueshme të prezantohet edhe në kryeqytetin shqiptar (edhe pse në disa raste të kujtonin betejën e Davidit me Goliathin, përballë orkestrës stërmadhe, jo në parametrat e duhur të vendosjes së saj). Prezenca e basit bullgar Aleksei Ivanov, i cili interpretoi pa asnjë dallim nga solistët shqiptarë rolin e mbretit Timur, nuk e zbehu aspak karakterin tërësisht shqiptar të kësaj vënie në skenë. Dhe, kjo shënon një arritje tjetër të madhe të operas shqiptare, e cila jo vetëm mundi të vinte në skenë me sukses të plotë një vepër tepër të vështirë, por edhe gati 100% shqiptare. Si rrallëherë të gjitha rolet qendrore u interpretuan nga solistët tanë, po ashtu edhe orkestra, nën drejtimin e maestros Pirona (i cili do të kujtojë gjithmonë me nostalgji faktin se, edhe për të ishte hera e parë në karrierën e tij të gjatë që dirigjonte "Turandot", por edhe regjia e të sprovuarit Nikolin Gurakuqi. E ndërsa artistikisht mund të jemi të barabartë me këdo, skenografia, kostumografia, apo edhe akustika në sallë (që le shumë për të dëshiruar ende) të kujtojnë se jemi në Shqipëri, pasi të gjitha këto ishin një dhuratë shumë bujare e Teatrit të Operas së Romës, i cili për premierën e vet të së njëjtës vepër, që u dha në të njëjtën ditë me atë në Tiranë, u detyrua të merrte "borxh" të gjitha "aksesorët" nga Teatri i Xhenovas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›