"Mjaft" marrëveshje me GALLUP 20 ditë para zgjedhjeve jepen rezultatet e sondazhit

28/04/2005 Lëvizja “Mjaft” dhe kompania ndërkombëtare GALLUP kanë marrë përsipër të zhvillojnë një sondazh serioz në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut. Sondazhi, sipas përfaqësuesve të "Mjaft", është i pari në llojin e tij, ndërkohë që faza e parë do të fillojë në mes të muajit maj dhe do të përfshijë 1400 persona, të cilët duhet të jenë 18 vjeç. Pyetësori do të ketë rreth 20-25 pyetje për t'u pasuar më pas me fazën e dytë të sondazhit, i cili do të mbahet 20 ditë para zgjedhjeve. Erion Veliaj në konferencën e dhënë për shtypin tha se iniciuesit “duan të besojnë realisht se kanë ikur kohët kur zgjedhësit mund të tërhiqeshin pasivisht nga termat dogmatike. Tashmë njerëzit duan të dëgjojnë më shumë zgjidhje për problemet e tyre të përditshme. Forcat politike dhe kandidatët e tyre do të duhet që kësaj radhe të përaqesin më mirë çfarë realisht i shqetëson zgjedhësit shqiptarë dhe t'u ofrojnë atyre alternativa me këmbë në tokë”. Duke iu referuar dhe eksperiencës së kompanisë GALLUP në vende të tjera të botës, Veliaj thotë se sondazhe të tilla kanë marzhin e gabimit nga 1 deri në 1.5 për qind, e krahasuar me rezultatin real të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, në Shqipëri synohet që, nëpërmjet këtij sondazhi, të matet opinioni publik mbi prefrencat e partive politike, duke dhënë në të njëjtën kohë një informacion të vlefshëm mbi çështjet më shqetësuese për publikun në prag të zgjedhjeve. Sondazhi synon gjithashtu që të intensifikojnë debatin për çështjet shqetësuese të publikut, si dhe të rrisin përgjegjshmërinë, duke mundësuar që premtimet e kandidatëve të ndiqen më lehtësisht.