Berati, marrëveshje binjakëzimi me prefekturën e Brindizit
BERAT - Berati pritet të binjakëzohet së shpejti me prefekturën e Brindizit. Takimet që sekretari i përgjithshëm i prefekturës së qytetit-muze, Petrit Sinaj, zhvilloi në jug të Italisë hodhën hapat konkrete për të lidhur një marrëveshje të tillë. Arritja e binjakëzimit mes dy qyteteve në vendet fqinje do të sjellë bashkëpunim dhe ndihmesë nga pala italiane në fushën e emergjencave civile, arsimit, për ekonominë dhe zhvillimin e turizmit, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat. Sinaj zhvilloi takim fundjavën e kaluar me prefektin e Brindizit, Domenico Cuttaia dhe zëvendësen e tij, Clara Minerva. Grupe të ndryshme intelektualësh, nëpunësish dhe biznesmenësh nga Brindizi do të planifikojnë vizita në rajonin e Beratit me qëllim gjetjen e pikave të bashkëpunimit dhe për ta konkretizuar atë në fushat e interesuara nga të dy palët. Nga ana e tij, prefekti Cuttaia shprehu gatishmërinë e një bashkëpunimi mes Brindizit dhe Beratit. Një tjetër hap i rëndësishëm pritet të ndërmerret në fushën e Arsimit. Sinaj, i cili është njëkohësisht dhe kreu i LSI-së së Beratit, zhvilloi takim me drejtorin e Arsimit të Rajonit të Brindizit, Francesco Capobianco, me të cilin u ra dakord për trajnime që mësues dhe nxënës nga shkollat e Beratit të mund të zhvillojnë në rajonin italian si dhe anasjellas.