E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësi u vetëdorëzua, e vrau shoku



ETLEVA DELIA

Grabitësi që mbeti i vdekur në shkëmbim zjarri me policinë në Kamëz pas mesnatës së premte dyshohet të jetë vrarë nga shoku i tij. I arratisuri ka qëlluar bashkëpunëtorin e tij në vjedhje në kohën kur 32-vjeçari nga Hasi kishte ndaluar vrapin, ishte kthyer me fytyrë nga policia dhe kishte ngritur duart lart në shenjë dorëzimi. Ditën e djeshme Policia e Tiranës ka përfunduar ekzaminimet e gezhojave të gjetura në vendin e ngjarjes dhe krahasimin e tyre me tri armët që mbanin policët që u vunë në ndjekje të 32-vjçarit Ahmet Bardhoshi dhe mikut të tij të shpallur në kërkim. "Ahmet Bardhoshi është qëlluar pas shpine, në momentin kur kishte ngritur dy duart lart pas thirrjes së policisë për të ndaluar", thonë burimet nga hetimi i çështjes.
Sipas Policisë së Tiranës, ky është mekanizmi më i mundshëm i ngjarjes, derisa gëzhojat e gjetura në vendin nga i cili është qëlluar viktima, nuk përputhen me armët e përdorura nga policët. Ekspertët kriminalistë kanë rindërtuar edhe njëherë dje skemën e ngjarjes së ndodhur në afërsi të shkollës së Agrobiznesit në Kamzë duke arritur në përfundimin se Ahmet Bardhoshi u vra pasi ndaloi t'i dorëzohej policisë. Plumbi që i ka shkaktuar vdekjen 32-vjeçarit Bardhoshi, i përket pistoletës TT, e cila është përdorur nga grabitësi që u arratis nga vendi i ngjarjes. Dy gëzhoja të kësaj arme janë gjetur pas shpinës së viktimës, 3-4 metra larg bashkë me një fishek të paplasur i cili duhet të ketë dalë nga arma e të arratisurit gjatë manovrimit. E gjithë praktika e këqyrjes së vendit të ngjarjes është ballafaquar me deklarimet e tre punonjësve të patrullës së policisë. Pas këtyre provave, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se, Ahmet Bardhoshi mund të jetë vrarë nga personi që ishte së bashku me të, duke udhëtuar me një "Benz" të vjedhur në Paskuqan.
Hetimi
Policia tha se po heton të dy variantet e vrasjes së 32-vjeçarit, si një "vrasje aksidentale" në arrati e sipër të autorit të dyshuar, por edhe si "vrasje me dashje" të kryer nga i njëjti person. Grabitësi i arratisur dyshohet se ka qëlluar shokun e tij gabimisht pasi viktima ndodhej mes grykave të zjarrit të hajdutit dhe policisë, por një tjetër pistë është vrasja me dashje e 32-vjeçarit pasi ai ka vendosur të ndalojë dhe të vetëdorëzohet. Sipas policisë, varianti i dytë është më i mundshëm, duke u nisur nga distanca e afërt dhe preçizioni me të cilin është qëlluar me një plumb të vetëm Ahmet Bardhoshi. Dyshimi se pas vetëdorëzimit të 32-vjeçarit, ai mund të dëshmonte për grabitësin e dytë, mund të ketë shkaktuar vrasjen. I arratisuri i cili është shpallur tashmë në kërkim duket se ka vendosur t'i mbyllë gojën përgjithnjë 32-vjeçarit.
VIKTIMA
I riu që mbeti i vrarë në Kamëz dy ditë më parë, për policinë e kryeqytetit ishte një person i skeduar në veprimtari kriminale. Ai kishte rreth 3 muaj që mbahej në vëzhgim nga policia, për vjedhje, por sipas burimeve ende nuk kishin mbledhur provat e duhura për ta arrestuar. Të njëjtin veprim kishte kryer edhe mbrëmjen që mbeti i vrarë, kur ka vjedhur automjetin në të cilin ndodhej kur u përball me policinë si dhe një gjenerator. Ahmet Bardhoshi, nga Hasi, prej vitit 1996 ishte vendosur me gjithë familjen për të jetuar në Valias të Tiranës. Gjashtë muaj më parë ishte kthyer nga Greqia ku kishte qëndruar si emigrant. Gjatë qëndrimit atje, Ahmet Bardhoshi kishte kryer burg me akuzën e plagosjes, madje pasi ka dalë nga qelia ka mbetur i plagosur edhe vetë pasi këqyrja e kufomës në Tiranë pas vrasjes në Kamëz zbuloi një predhë të mbetur në afërsi të shtyllës kurrizore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›