Dosja në Prokurori, hajduti nën akuzë për vrasje
TIRANE - Dosja penale e hapur pas ngjarjes së ndodhur në Kamëz pas mesnatës së premte i kaloi dje për hetim Sektorit të Vrasjeve në Policinë e Tiranës. Hetuesit e këtij sektori mësohet se kanë përpiluar materialet e dosjes penale e cila ditën e sotme do të referohet në Prokurorinë e Tiranës për ndjekje penale. Burimet nga policia thanë se në dosje ndodhen raportet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, dëshmitë e tre efektivave të policisë, ekspertizat e gëzhojave dhe armëve si dhe deklarime të personave banorë të zonës, në lidhje me ngjarjen. Të gjitha materialet hetimore pritet t'i referohen sot Prokurorisë së Tiranës me akuzën e vrasjes ndaj shtetasit Ahmet Bardhoshi, 32 vjeç. Në fashikull ndodhet akt-autopsia për vdekjen e tij si dhe një ekspertim mbi shkakun e vdekjes, i cili ka qenë një plumb tejshpues me hyrje në zonën e kurrizit dhe dalje në pjesën e sipërme të gjoksit. Ndërkohë predha që goditi 32-vjeçarin nuk është gjetur ende pasi plaga ka qenë tejshpuese. Policia mësohet se ka përfshirë në dosje materialet për akuzën e vjedhjes ndaj personit që u arratis nga vendi i ngjarjes, ndërsa për akuzën e vrasjes, pritet të vendosë Prokuroria. Sipas burimeve jozyrtare të policisë, grabitësi i dytë i cili ndodhej në makinë me viktimën, rrezikon edhe akuzën e vrasjes së shokut të tij. Ai ka qenë duke drejtuar automjetin tip Benz me targa të Tiranës i vjedhur mbrëmjen e të premtes në zonën e Bovillës. Për këtë shkak ndaj grabitësit të dytë i cili është identifikuar dhe shpallur në kërkim është ngritur akuza e vjedhjes ndërsa të gjitha materialet hetimore tregojnë se ai ka kryer edhe vrasjen e shokut të tij në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes. Gjatë tentativës së arratise ai ka ecur përpara Ahmet Bardhoshit i cili kishte mbetur pas. Në momentin kur i arratisuri është kthyer për të qëlluar policinë, 32-vjeçari ka qenë mes dy zjarresh dhe është qëlluar nga një plumb i vetëm i cili ka projeksionin nga drejtimi në të cilin ndodhej hajduti i shpallur tashmë në kërkim. Në vendin ku ai ndodhej kur ka qëlluar me armë, janë gjetur dy gëzhoja pistolete si dhe një fishek i të njëjtës armë por i pa plasur. Ngjarja e rëndë e ndodhur në Kamëz është hetuar me kujdesin maksimal nga Policia e Tiranës e cila dërgoi në vendin e krimit ekspertët më të mirë dhe zyrtarët më të lartë të saj për të mbikëqyrur rreptësishtë procedurat e hetimit. Po kështu menjëherë pas ngjarjes, tre efektivat e policisë u morën në pyetje për më shumë se gjashtë orë në lidhje me veprimet që kishin kryer gjatë përplasjes me grabitësit. tr.so