"Lindja e Diellit", Krimet e Rënda: Burg pa afat trafikantëve të drogës
TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda u komunikoi dje masën e sigurisë "arrest në burg" pesë të arrestuarve në operacionin "Lindja e Diellit". Kështu, paraditen e djeshme u paraqitën para gjyqtares së gatshme në këtë institucion pesë të pandehurit Marenglen Hallka, nga Fieri dhe Fatbardh Kapllanaj, Pilo Zanaj, Daniel Likaj e Artur Demaj, nga Vlora, të arrestuar më datë 19 shkurt në bazë të urdhër arresteve të nxjerrë nga gjykata në mungesë të tyre. Gjykatësja e gatshme e Krimeve të Rënda, e cila kishte lëshuar urdhër arrestet, ua komunikoi masat e sigurisë të pandehurve, ndërsa bëri edhe verifikimin e tyre. Pasi të pandehurit konfirmuan se ishin personat, për të cilët ishin lëshuar urdhrat e ndalimit, gjykata i pyeti për qëndrimin në lidhje me akuzën. Burime nga procesi pohojnë se të akuzuarit mbajtën qëndrime mohuese ndaj akuzës së ngritur ndaj tyre duke pretenduar se ishin të pafajshëm dhe se nuk kishin lidhje me çfarë akuzoheshin. Pas kësaj ata kanë pretenduar se do ankoheshin kundër vendimeve të masave të sigurisë. Ndryshe nga këto përfaqësuesit e organit të prokurorisë kanë pretenduar në gjykatë se disponojnë prova në ngarkim të të akuzuarve. Në momentin e arrestimit të tyre policia pohoi se këta, në bashkëpunim edhe 23 persona të tjerë, shqiptarë, grekë dhe italianë gjatë viteve 2005 - 2007, kanë kryer veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, kryesisht me gomone. Guardia di Financa e zonës së Puljes u ka sekuestruar këtyre gjatë kësaj kohe gjashtë ngarkesa marijuanë dhe në dy raste heroinë. Sipas autoriteteve ligjore shqiptare, vlera e këtij operacioni qëndron në faktin se agjencitë e zbatimit të ligjit në Itali, Shqipëri e Greqi, kanë arritur të koordinojnë punën për të realizuar operacionin e përbashkët për arrestimin e plot 27 personave, në territorin e tre vendeve, duke treguar vullnetin e mirë për të bashkëpunuar në luftën kundër krimit të organizuar. Arrestimi i pesë të akuzuarve në Shqipëri u krye nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa në ka dhënë ndihmesën e vet në suksesin e operacionit edhe Zyra e Bashkëpunimit Policor Italian në Tiranë, Interforcë. f.m.