E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet shkolla e fshatit, prindërit apel për fëmijët



BURREL/ HASAN PASHA

Reforma e fundit në sektorin e Arsimit ka krijuar shumë probleme në Qarkun e Dibrës. Diku nxënësit protestojnë për rikthimin e mësuesve në vendet e tyre të punës, ka shkolla që janë mbyllur për shkak të largimit të mësuesve, ndërsa disa arsimtarë i janë drejtuar gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me zyrat arsimore të rretheve Mat, Bulqizë e Dibër. Shkolla e ciklit të ulët Urxallë në komunën e Derjanit është mbyllur duke larguar nga puna mësuesin që jepte mësim në klasat kolektive. Kjo ka bërë që 15 nga 17 nxënësit e kësaj shkolle të udhëtojnë 3-4 kilometra për të frekuentuar shkollën në fshatin Dukagjin ose në Derjan. Ndërkohë dy nxënësit e tjerë nuk kanë asnjë mundësi fizike të ndjekin mësimin në këto shkolla. Vëllezërit Erges e Jurgen Merra, nxënës të klasës së katërt dhe të dytë prej dy javësh nuk kanë mundësi të vijojnë shkollën, pasi shkolla që ndodhej në qendër të fshatit është mbyllur. Prindërit e tyre, Bilal e Lume Merra dhe kryetari i fshatit Besim Toçi kanë trokitur në zyrën arsimore të rrethit dhe kanë kërkuar një zgjidhje. Në prononcimin e saj për gazetën "Panorama" nëna e dy fëmijëve të lënë pa mësim tregon për fatin e djemve të saj.
Përse fëmijët tuaj nuk mund të frekuentojnë mësimin në shkollën tjetër?
Fëmijët e mi janë të sëmurë, madje trajtohen nga shteti me pension invaliditeti. Ata janë të pamundur fizikisht të udhëtojnë gjatë. Shkollën e kishin afër dhe çdo ditë i dërgoja atje së bashku me burrin, duke i transportuar me krah. Deri para dy javësh shkolla fillore vazhdonte normalisht. Larguan nga puna mësuesin F.çurana dhe na njoftuan se shkolla është mbyllur. Mbyllja e shkollës na ka shqetësuar shumë. Disa nga nxënësit kanë pasur mundësi dhe udhëtojnë çdo ditë për në shkollat e fshatrave të tjerë, kurse ne e kemi të pamundur një gjë të tillë. Burri është invalid, edhe dy fëmijët i kam të sëmurë. E kam të pamundur t'i dërgoj në fshatrat e tjerë dhe as tek njerëzit e mi. Ata kanë nevojë vazhdimisht për kujdes prindëror.
Ku jeni ankuar dhe ç'përgjigje keni marrë?
Kam udhëtuar një ditë me furgon nga Urxalla së bashku me burrin dhe dy fëmijët e sëmurë për Burrel dhe jam ankuar në zyrën arsimore të rrethit. U kam kërkuar zyrtarëve të arsimit të rihapet shkolla aty ku ishte, së pari për fëmijët e mi të sëmurë dhe së dyti edhe për nxënësit e tjerë të fshatit. Ne si prindër kërkojmë rikthimin e mësuesit me të cilin fëmijët kanë mësuar prej vitesh. Nuk mund të pranojmë që fëmijët të mbeten pa shkollë. Po të ketë një mjet transporti ne do të financonim me para borxh për shkollimin e fëmijëve. Djali i madh, Ergesi e mbylli klasën e tretë me të gjitha dhjeta.
Po gjendja juaj ekonomike cila është?
Siç e shihni. Shtëpia vite më parë mu shemb dhe gati na zuri të gjithëve brenda. Burri dhe dy fëmijët trajtohen nga shteti si invalidë, por paratë që marrim nuk mjaftojnë as për ilaçe. Unë dal në pyll, pres dru dhe përpiqem t'i shes për të mbajtur familjen. Jemi në një gjendje mjaft të rëndë. Do t'i lutesha Ministrisë së Arsimit të mundësonte rihapjen e shkollës në qendër të fshatit. Nuk dua që fëmijët e mi të vuajnë aq sa ne prindërit. Ata nuk kanë faj dhe nuk mund të mbeten pa shkollë dhe të rrojnë në këtë gjendje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›