Çanta me 75 kg drogë pas kalasë, 2 në pranga
GJIROKASTER - Dy persona janë prangosur në flagrancë me 75 kg marijuanë në zonën muzeale të Gjirokastrës. Ka qenë ora 14:30 e ditës së djeshme kur policia ka sekuestruar sasinë narkotike si dhe ka arrestuar poseduesit e tyre, prapa kështjellës së qytetit. Dy personat konkretisht Agim Merdani, 44 vjeç dhe Flamur Muçodemi, 42 vjeç të dy nga Tepelena u kapën ndërsa po transportonin çantat me lëndë narkotike në një automjet tip Mercedez-Benz me targa TP 2906. Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar kanë ndërhyrë duke bërë të mundur bllokimin e automjetit si dhe të dy shtetasve që po transportonin këto çanta. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se ato ishin të mbushura me lëndë narkotike të llojit marihuanë. Pas peshimit rezultoi se pesha totale ishte gati 75 kg dhe në vijim të këtij operacioni, uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e personave të lartpërmendur. Nga intervistimet e kryera në polici, dy të arrestuarit kanë deklaruar se sasinë narkotike ata e kishin blerë në fshatin Lazarat dhe tentonin ta përcillnin drejt Greqisë mbrëmjen e djeshme. Materialet në ngarkim të personave i kaluan organit të akuzës për veprime të mëtejshme. Mbi Merdanin dhe Mucodemin rëndon vepra penale e trafikut të lëndëve narkotike. p.n