E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, minutat e fundit për në UNESCO

Nëse pak ditë më parë u dha njoftimi se fundi i qershorit do ta gjejë Beratin në UNESCO, dje ministri i Kulturës ka deklaruar se fillimi i korrikut do të shënojë firmosjen përfundimtare të këtij qyteti në Organizatën Botërore të Trashëgimisë Kulturore. Dosja e qytetit të Beratit është mbyllur, ndërsa deklarohet se janë restauruar 47 shtëpi monument kulture. Më 3 mars 2008 pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës është krijuar Agjencia për Qendrën Historike të Beratit e përbërë nga specialistë të qendrave historike dhe arkitekturës tradicionale të IMK dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat. Kjo agjenci do të supervizojë mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës historike dhe të mbrojtur, si dhe kriteret shkencore të ndërhyrjeve. Në këtë kuadër, më 14 prill 2008, me urdhër të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është krijuar Komiteti për koordinimin e planit të menaxhimit të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës. I përbërë nga drejtuesi i IMK dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve, drejtorët e zyrave të planifikimit urban dhe të Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, ky komitet do të drejtojë dhe aprovojë planet vjetore dhe shumëvjeçare për promovimin dhe konservimin e qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

Në të njëjtën kohë vazhdon bashkëpunimi i Beratit me Gjirokastrën me partnerë italianë të Universitetit të Maçerata për kryerjen e studimit pilot të riskut sizmik të qendrave historike. Bashkëpunimi me zyrën e UNESCO në Venecia dhe ICR Romë për restaurimet kontribuon edhe në mbrojtjen afatgjatë të Beratit dhe qendrave të tjera historike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›