E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Durrës ; Vidhet “Bajram Curri”, tre nxënës vjedhin kompjuterat e shkollës

Kanë vjedhur me thyerje dy kompjutera të shkollës së tyre fillore, ndërkohë policia ka mundur të identifikojë autorët si dhe të vihet në ndjekje të tyre. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në shkollat 9-vjeçare “Bajram Curri 1” dhe “Bajram Curri 2” në lagjen Nr. 13 në Durrës, kur A.Th., F.G., si dhe E.A., të tre 15 vjeçarë dhe që kanë përfunduar shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri 2”, dyshohet se janë autorët e vjedhjes. Lajmi është konfirmuar dje nga zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së qytetit bregdetar, Ornela Cako, sipas së cilës, shpallja në kërkim e tre ish-nxënësve të kësaj shkolle u bë për arsye se si rezultat i punës hetimore të kryer nga Seksioni Kundër Krimeve Ndaj Pronës Durrës dyshohet se më datë 15.06.2008, rreth orës 10:00, në lagjen Nr. 13 Durrës, Sektori “Hekurudha”, kanë vjedhur me thyerje shkollat 9-vjeçare “Bajram Curri 1” dhe “Bajram Curri 2” në të cilat kanë marrë dy kompjutera dhe janë shkatërruar materiale të ndryshme shkollore. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet procedurale për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Pezullimi

Akuza të tjera në prokurori për Ahmetajn

Pas pezullimit nga detyra të kreut të Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet, Krenar Ahmetaj, në institucionin e Prokurorisë janë depozituar edhe disa akuza të tjera me raste të ngjashme të së njëjtës akuzë. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje nga burime pranë Prokurorisë, sipas të cilave, gjatë këtyre ditëve të fundit disa qytetarë kanë bërë kallëzim penal ku pretendohet se Ahmetaj ka abuzuar ndaj tyre në kohën që ky i fundit ushtronte detyrën si shef i rrugores. Megjithatë, burimet janë shprehur se për arsye hetimi nuk bëhen të ditur emra apo detaje të tjera duke thënë se një gjë e tillë pritet të sqarohet në vijim. Ndërkohë, një ditë më parë Valmir Nikolli është komanduar si shef i ri i qarkullimit rrugor për kryeqytetin në vend të kryekomisar Krenar Ahmetajt. Nikolli do të drejtojë qarkullimin rrugor për Tiranën derisa nga ana e organit të akuzës të zgjidhet çështja e Ahmetit, i cili u pezullua pak kohë më parë nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që vendimi është apeluar dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vazhdim nga Gjykata e Apelit. Emërimi përkohësisht si i komanduar në këtë detyrë i është komunikuar Nikollit dje nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, pasi prej më se një jave qarkullimi rrugor i kryeqytetit ishte pa një drejtues.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›