E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e fëmijëve, për tiransen Nasufi

Shkodra ka përcjellë të hënën pjesëmarrësit e Festivalit të 46-të Mbarëkombëtar të fëmijëve, i cili për tre ditë me radhë ishte prezent me konkurrimin e tij në skenën e teatrit “Migjeni”. Ata kanë qenë të shumtë, nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, si edhe nga komuniteti shqiptar i Anglisë. Në natën finale të tij, që ka përfunduar në mesnatën e së dielës, janë interpretuar 24 këngë, 12 të natës së parë dhe 12 të së dytës. Përveç konkurrimit, në skenë kanë interpretuar edhe këngëtarë dhe grupe këngëtarësh të ftuar nga brenda dhe jashtë vendit. Ajo që ka spikatur në këtë festival, ka qenë se vendimet për këngët më të mira fituese janë votuar nga juria e përbërë nga vetë këngëtarët pjesëmarrës, të cilët sipas një rregulli të përcaktuar nga organizatorët kanë pasur të drejtë të votojnë për secilin këngëtar, duke përjashtuar votën për emrin e tyre. Vendin e parë dhe kupën e festivalit e ka merituar këngëtarja 12-vjeçare nga Tirana, Enxhi Nasufi, nxënëse e kolegjit “Kristal” të kryeqytetit. Me çmime të dyta janë nderuar dueti Orsela Dervish me Ari Kaçinarin të Shkodrës, me muzikë dhe tekst të Lec Balcës, si dhe Eva Karocieri nga Vlora me muzikë të Vait Kuçit dhe tekst të Jorgo Papingjit. Ndërkohë, janë shpërndarë edhe tre çmime të treta, dueti Xhulia Xhakanaj-Rio Kamani nga Fushë-Kruja, me muzikë të Ylli Kalaja dhe tekst të Florian Kalaja, Kaltrina Hajdari nga Gjilani i Kosovës me muzikë të Isa Jakupit dhe tekst të Paulin Shtjefnit, si dhe Dea Dibra nga Shkodra me muzikë të Alfred Kaçinarit dhe tekst të Mimoza Bicit. Organizatorët kanë shpërndarë edhe çmimin “Inva Mula”, të cilin e ka fituar dueti Dea Demaliaj dhe Ergys Hahelezaj nga Tirana, me muzikë të Xhavid Ujkanit dhe tekst të Jorgo Papingjit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›