E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati nderon hebrenjtë që shpëtoi

Berati do të ketë një rrugë me emrin "Hebrenjtë". Në kujtim të dhjetëra hebrenjve që janë strehuar në këtë qytet gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bashkia e Beratit ka vendosur që një nga rrugët e këtij qyteti të marrë emrin e tyre. Pikërisht rruga që ndodhet në qendrën e qytetit, shumë pranë zonës historike, të cilës i mungonte një emër, tashmë quhet rruga "Hebrenjtë". Bashkia e këtij qyteti dhe Konsullata e Nderit e Izraelit kanë organizuar të shtunën në Berat ceremoninë për emërimin e rrugës së re, si dhe promovimin e librit "Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri". Në këto aktivitete kanë marrë pjesë pushtetarë lokalë, prof. dr Neritan Ceka, ambasadorja e Izraelit, Armira Aron, si dhe një grup studiuesish, autorë të librit rreth historisë së hebrenjve në Shqipëri. Rreth orës 11.00, të gjithë të pranishmit kanë marrë pjesë në ceremoninë e vënies së emrit të rrugës. Ambasadorja e Izraelit, Armira Arnon, si dhe kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, kanë zbuluar pllakën me emrin e rrugës së re në këtë qytet. Më pas të pranishmit kanë marrë pjesë në promovimin e librit kushtuar hebrenjve të strehuar në Shqipëri, ceremoni e cila është zhvilluar në ambientet e Galerisë së Arteve në këtë qytet. Ky libër, i promovuar dje në Berat, vjen në duart e lexuesit, i përgatitur nga gazetari Naim Zoto dhe nën përkujdesjen shkencore të profesor dr. Shaban Sinanit, një prej studiuesve të njohur në shkallë ndërkombëtare për çështjen e hebrenjve. Studiuesit pjesëmarrës kanë referuar në promovimin e këtij libri, që është mundësuar nga ambasada e SHBA-së, si dhe Konsullata e Nderit e Izraelit në Shqipëri. Ata pohuan në fjalën e tyre se libri mori shkas nga konferenca shkencore "Berati për shpëtimin e hebrenjve", që u zhvillua vitin e kaluar në këtë qytet. Në këtë libër bëhen publike studimet më të reja për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke fokusuar sjelljen e shqiptarëve ndaj holokaustit, sjellje që ka mahnitur mbarë Perëndimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›